Andres Iniesta e ka pranuar se ai është i hapur ndaj mundësisë për ta formuar një partneritet si trajnerë bashkë me legjendën tjetër të Barcelonës, Xavi Hernandez, përderisa ka folur edhe për mundësi që klubi të qeveriset nga Carles Puyol e Gerard Pique. Xavi së fundi e refuzoi ofertën e Barcelonës për ta marrë pozitën e trajnerit në Camp, pak para se Quique Setien ta zëvendësonte Ernesto Valverden e shkarkuar në fillim të kësaj jave. Iniesta dhe Xavi u larguan nga kampioni spanjoll afër fundit të karrierës së tyre. Xavi shkoi në Al-Sadd, ku tani është trajner, ndërsa Iniesta u transferua në Japoni te klubi Vissel Kobe.
Përderisa Xavi besohet se do ta marrë postin e trajnerit të Barcelonës në të ardhmen, edhe Iniesta dëshiron ta fillojë karrierën e tij si trajner, pasi t’i japë fund karrierës si futbollist me Vissel Koben. “Një partneritet mes meje se Xavit nuk tingëllon aspak keq, por nuk është e mundur për momentin. Me kalimin e kohës, ideja për t’u bërë trajner po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për mua”, ka thënë Iniesta. “Unë nuk kam thënë se do të doja ta drejtoja një skuadër të caktuar. Do të më pëlqente ta shihja Xavin në Barcelonë, por ne duhet t’i marrim parasysh edhe rrethanat dhe planet e tij. Mendoj se ai do të kthehet në Barcelonë herët apo vonë, por nuk e di kur”.
“Carles Puyol dhe Gerard Pique? Unë sinqerisht besoj se këta lojtarë duhet të kthehen në staf të klubit, por nuk e di në çfarë pozita. Varet nga kapacitetet e tyre, nga qëndrimet e tyre dhe punën që mund ta bëjnë”.