Paul Pogba mbetet ëndrra e madhe e Juventusit për sezonin e ardhshëm. Sipas gazetës italiane Tuttosport, bardhezinjtë tani po e bëjnë gati ofertën e re për Manchester United.
Juventusi ishte interesuar edhe më parë për Paul Pogban, veçanërisht verën e kaluar. Megjithatë, Manchester Unitedi nuk ishte bindur nga ofertat e italianëve, nga të cilët e ktheu Pogban në Old Trafford në vitin 2016..
Kampioni i Italisë do të tentojë t’ua ndryshojë mendjen Djajve të Kuq duke e përfshirë edhe një lojtar të vetin në ofertën për Pogban. Tuttosport raporton se në marrëveshje ka gjasa të përfshihet ose Adrien Rabiot, ose Paulo Dybala.
Rabiot ende s’ka lënë gjurmë në Allianz, ndërsa Dybala është shumë i dëshiruar nga Manchester Unitedi. Në këtë mënyrë, Juventusi do të tentojë ta mposhtë Real Madridin, që gjithashtu është i interesuar për mesfushorin francez.
Pogba ka qenë i lënduar për shumicën e këtij sezoni dhe i ka bërë vetëm tetë paraqitje gjithsej. Ndërkohë, spekulimet sugjerojnë se ai synon që sezonin tjetër ta dëshmojë veten në një klub tjetër, larg Old Traffordit.