Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “është e paligjshme dhe shkon deri në kriminale kur familjet që paguajnë për të marrë një apartament apo dyqan nuk marrin dot mbrapsht hipotekën, marrin strehën apo hapësirën e aktivitetit, por nuk marrin dot pronën sepse ka vetëm një pengesë që nuk është kapërcyer dot nga korrupsioni, firma finale e bashkisë për lejen e shfrytëzimit”. Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”’, Kryeministri theksoi se “ajo që ndodhi në Durrës është historia e godinave që i përkisnin kësaj kategorie”.
“Nuk janë shembur dhe dëmtuar në strukturë, godina që kanë respektuar parametrat e lejes së ndërtimit. Janë shembur e kanë sjellë viktima godina që janë 3 kate dhe vajtën 8 kate apo u morën për 5 kate dhe u bën 10 kate, ato morën jetë njerëzish”, tha Rama. Rama tha se “nuk mund të funksionojë sot jashtë përgjegjësisë penale ky sistem që ta sjell gjunjëzimin e shtetit në të gjitha rastet kur shteti ka tentuar të marrin masa sepse zhvilluesit pasi kanë shkelur lejen e ndërtimit dhe janë vënë para një kontrolli dhe vendimi të inspektoriatit përkatës për shembjen”.
“Kanë vajtur në gjykatë dhe me gjykatë kanë gjunjëzuar shtetin duke marrë edhe legalizimin e paligjshëm të shtesës të urdhëruar nga gjykata. Një shembull tipik është shumë pak metra larg drejtorisë së policisë në Tiranë. Një pallat me 4 kate shtesë, betejë ligjore mes policisë, inspektoriatit dhe zhvilluesit dhe në fund zhvilluesi përqeshi shtetin e vazhdoi punën”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “nuk mundet dot që sistemi ta mbrojë ndërtuesin që zhvillon jashtë lejes së ndërtimit dhe shet metra katror të paligjshme duke vendosur në ligj një konfuzion total me çfarë duhet bërë me atë ndërtesë”.
“‘KÇK’ gjithmonë e ka gjunjëzuar shtetin dhe ka favorizuar ndërtuesin. Ajo që duhet bërë taksative është që çdo volum i ndërtuar për qëllime fitimi dhe këtu bëhet fjalë për banesa dhe godina me shumë njësi jo për shtëpitë e njerëzve në fshat, ose duhet shembur ose duhet sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jetë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar. Vetëm me mbylljen e këtij cikli më në fund në Shqipëri, ne do të kemi ndërtime që janë në përputhje me ligjin dhe të gjitha normat e planifikimit dhe ndërtimit”, tha Rama.