Kompanitë shqiptare të mobilimit dhe industrisë së drurit do të kenë mundësi të takimeve në formatin B2B me kompanitë bullgare në një aktivitet që Dhoma bullgare e Përpunimit të Drurit dhe Industrisë së Mobilieve do të organizojë më 18-21 mars.
Ambasadorja e Shqipërisë në Bullgari, Donika Hoxha ka zhvilluar një takim me Drejtoren Ekzekutive të Dhomës bullgare të Përpunimit të Drurit dhe Industrisë së Mobilieve.
Gjatë takimit janë diskutuar mundësitë potenciale të bashkëpunimit dhe mënyrat e rritjes së kontakteve të drejtpërdrejta mes kompanive shqiptare dhe atyre bullgare.
Drejtorja Ekzekutive ka informuar se Dhoma bullgare e Përpunimit të Drurit dhe Industrisë së Mobilieve do të organizojë më 18-21 mars një aktivitet kushtuar industrisë së mobilieve “Bota e Mobilieve” duke ofruar mundësinë e kontakteve të drejtpërdrejta për kompanitë shqiptare dhe takime në formatin B2B.
Ambasada e Shqipërisë në Sofje me këtë rast ka ftuar të gjitha kompanitë shqiptare, arkitektët dhe arreduesit të aplikojnë për të qenë pjesë e këtij aktiviteti. Afati i fundit për aplikime është data 23 shkurt.