Ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja u ka bërë thirrje shqiptarëve që të shtyjnë udhëtimet që mund të kenë planifikuar në Kinë për shkak të koronavirusit vdekjeprurës që po qarkullon. Belortaja ka publikuar një foto me maskë nga Kina, ku thekson se për shkak të gjendjes së rëndë të epidemisë autoritetet mund të mbyllin edhe transportin. Sipas tij, Kina po kalon një situatë dramatike.
“Të dashur miq e bashkëkombas kudo ku jeni. Siç e dini Kina po kalon një situatë dramatike. Koronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish por për shkak të potencialit të një rreziku në përmasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta për frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes se njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan ku virusi shpërtheu dhe beteja është përqendruar. Nr faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSH dhe që potencialisht mund të agravojë në ditët në vijim. Autoritetet dhe mjekësia këtu po punojnë heroikisht. Këshilloj fort që, derisa situata të merret plotësisht nën kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën t’i shtyni për më vonë! Ju lutem informohuni sa më mirë e binduni vetë para se ti hyni një situate me shume rrezik nga virusi por edhe të papritur për shkak te kontrolleve te pazakonshme”, -thotë ambasadori shqiptar në Kinë. Ndërkaq, ditën e premte, ministria e Shëndetësisë njoftoi marrjen e masave paraprake duke vendosur në zbatim planet e emergjencës dhe kontrollin e kinezëve që vijnë në vendin tonë ndërsa theksoi se nuk ka rrezik.