Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot amnistinë që liron nga qelia 175 të dënuar. Nga amnistia përfitojnë të gjithë të dënuarit që deri në datë 31 dhjetor të vitit të kaluar janë dënuar me vendim të formës së prerë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja sqaroi sot në Kuvend se janë 175 të dënuar që përfitojnë, 150 meshkuj, 23 gra dhe 2 të mitur, ndërsa 29 gra përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit.
Opozita në Kuvend kërkoi zgjerimin e kategorive që përfitojnë, por dy propozimet e deputetit Myslim Murrizi u rrëzuan nga shumica socialiste. Murrizi kërkoi që të lirohen të gjithë burrat që janë dënuar apo janë në proces për vepra që dënohen deri në 2 vite dhe 3 vite për gratë. Gjithashtu ai kërkoi që të falen të gjitha gratë që janë në burg, por shumica i rrëzoi amendamentet. Ndërkohë që mes ligjeve të miratuara është edhe ai për kontrollin e banesave që janë ndërtuar në 50 vitet e fundit.