Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, me temë diskutimi “Ndërveprimi biznes-bashki mbi transparencën, shërbimet dhe zhvillimin ekonomik të qyteteve”. Të pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi dhe përfaqësues nga njësi vendore në vend dhe komuniteti i biznesit. Në hapje të Mbledhjes së Këshillit të Investimeve, Ministrja Denaj e vlerësoi takimin si një mundësi shumë të mirë për të reflektuar mbi situatën aktuale, shqyrtimin e mundësive të përmirësimit të klimës së biznesit dhe për të propozuar masa të nevojshme, në përputhje me politikat afatmesme qendrore dhe vendore. Ministrja theksoi nevojën e rritjes së komunikimit dhe bashkëpunimit mes bashkive dhe biznesit, në funksion të rritjes së transparencës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë fjalës së saj, znj. Denaj vuri në dukje progresin e shënuar nga zbatimi i reformës administrative-territoriale të nisur në vitin 2014, një ndër objektivat e së cilës është forcimi i financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe rritja e autonomisë fiskale. Në kuadër të reformës së decentralizimit fiskal janë ndërmarrë një sërë masash, si miratimi i ligjit të ri mbi financat e vetëqeverisjes vendore, i cili forcoi rregullat e buxhetimit dhe disiplinës fiskale në nivel vendor. Rezultatet pozitive të reformës lidhen me mbledhjen e të ardhurave, ku të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 29.1% të burimeve financiare totale, gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, transferta e pakushtëzuar e shpërndarë në vitin 2019 është 42% më e lartë se në vitin 2015 para miratimit të ligjit dhe rreth 38% më e lartë se niveli historik i saj.
Në vijim, Ministrja Denaj kërkoi angazhimin e shtuar të bashkive sa i përket reformës së Kadastrës Fiskale. “Nëpërmjet këtij takimi, gjej me vend të ribëj një ftesë për të gjithë kryebashkiakët, që të përqëndrojnë kapacitetet e tyre njërëzore në drejtim të verifikimit të pasurive dhe bashkëpunimit me Kadastrën Fiskale, mbi bazën e së cilës zbatohet një sistem i drejtë i taksimit mbi pronën”, u shpreh znj. Denaj. Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë takim u përqendruan në çështje të lidhura me mirëadministrimin fiskal në nivel vendor, taksat dhe tarifat vendore, shërbimet e marra dhe rolin e Bashkive në zhvillimin ekonomik lokal. Në mbështetje të temës së trajtuar në këtë Mbledhje, Këshilli i Investimeve ka realizuar në vitin 2019 një anketim në të gjithë Shqipërinë për bashkëveprimin e sipërmarrësve me pushtetin vendor. Sipas madhësisë, 64% e të anketuarve ishin biznese me xhiro me 8 milion lekë, 25% biznese me xhiro 5-8 milion lekë dhe pjesa tjetër ishin biznese me xhiro deri në 5 milion lekë.
Anketimi dhe analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ka vënë në dukje nevojën për një bashkëveprim të shtuar mes aktorëve dhe ka identifikuar instrumentet kryesore të pushtetit vendor për nxitjen e biznesit dhe ndërveprimit. Rezultatet e anketës kanë identifikuar: nevojën në rritje për marrjen e shërbimeve online nga pushteti vendor, bizneset janë përgjithësisht të informuar mbi legjislacionin fiskal vendor (86% deklarojnë se janë plotësisht/pjesërisht të informuar); bizneset janë të informuar mbi procedurat tatimore vendore (71% deklarojnë se procedurat tatimore vendore janë të qartë ose shumë të qartë). Bizneset kanë shprehur gjithashtu pritshmëritë për një rritje të cilësisë së shërbimeve nga Bashkitë dhe pritshmëritë për një përmirësim të raportit kosto/vlerë për shërbimet e marra nga pushteti vendor. Analiza ka nxjerrë në pah nevojën për zbatim më të shpejtë të reformës së kadastrës fiskale nga pushteti vendor. Bizneset kanë vlerësuar si mundësi për zhvillim asetet vendore dhe Zonat e Zhvillimit Teknologjik dhe Ekonomik, por kanë kërkuar një angazhim më të fortë dhe rol të intensifikuar të pushtetit vendor. Sa i përket shqetësimeve të biznesit, Ministrja tha se në fokus të tyre janë: pritshmëritë për shërbime cilësore në raport me kontributin e sipërmarjeve në buxhetet vendore dhe pritshmëritë që Bashkitë të kenë një rol më proaktiv në zbatimin e projekteve konkrete të zhvillimit ekonomik.
Znj. Denaj përmendi faktin se në disa bashki, MFE ka shpallur projekte të zhvillimit të zonave ekonomike, për të cilat janë krijuar paketa për tërheqjen e investitorëve dhe që janë mundësi shumë të mirë për bizneset. “Përtej kontekstit fiskal, shumë i rëndësishëm mbetet dhe zhvillimi ekonomik. Është shumë e rëndësishme të shikojmë se si zhvillimi ekonomik jo vetëm është në fokus të qeverisë qendrore, por edhe asaj vendore dhe ku ekzistenca e disa masave në pushtetin vendor do të kthejë në mënyrë të menjëhershme vëmendjen e bizneseve drejt TEDA-ve, zhvillimeve të cilat së fundmi janë kthyer si një paketë për tërheqjen e investitorëve të huaj, jo vetëm në rajonin e Tiranës por edhe në rajonet e tjera”, tha znj. Denaj.