Komisioni i Ekonomisë ka miratuar aktin dytë normativ për buxhetin e vitit 2019, që kishte dy objektiva kryesore, dhënien e shpërblimit për pensionistët dhe kategoritë e tjera që trajtohen me pension si dhe përballimi i dëmeve të para të tërmetit. Sipas Ministrisë së Financave nuk janë prekur parametrat bazë të buxhetit por janë rialokuar fondet, konkretisht 1.9 miliardë lekë bonusi i shpërblimit të fundvitit, 70 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë për bonusin e bebeve, 300 milionë për Ministrinë e Shëndetësisë për pagesën e invaliditetit dhe 235 milionë ju shtuan fondit rezervë për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Sa i takon përballimit të pasojave të para të tërmetit vetëm në muajin dhjetor janë harxhuar mbi 270 milionë lekë për emergjencat e para siç ishte strehimi në hotele. Drejtoresha e Buxhetit Mimoza Dhëmbi tha se deri më tani kërkesat për bonus qiraje kanë arritur në 2.6 miliardë lekë nga 1 miliardë që është parashikuar në buxhetin e këtij viti.
“Ky akt normativ ka dy objektiva kryesore bonusin e pensionistëve dhe dëmet e para të tërmetit. Deri më tani kanë aplikuar për bonus qiraje qytetarë të shumtë në vlerën e 2.6 miliardë lekë. Gjatë dhjetorit u shpenzuan 270 milionë lekë për shpenzimet në muajin dhjetor. 70 milionë për inspektime në banesat e dëmtuara” deklaroi Mimoza Dhëmbi. Fondi prej 1.6 miliardë lekësh që mund të shtohet edhe më tepër pasi ende ka kërkesa për bonusin e qirasë do të merret nga fondi i rindërtimit. Ndërkohë sa iu takon kontributeve nga ana e donatorëve sipas zëvendësministrit të financave Elton Haxhi, deri më tani janë mbledhur rreth 15 milionë euro. “Kontributi për donatorët afërsisht ka arritur në 15 mln euro, pa llogaritur donacionin e BE. Kontributi për dëmet e tërmetit nga donatorët” tha ai. Akti është miratuar edhe me votat e opozitës dhe sipas relatores Blerina Gjylameti, buxheti i 2019 përmbushi objektivat për reduktimin e borxhit publik dhe konsolidim fiskal.