Zv.kryeministri Erion Braçe u shpreh sot se “fondet publike janë një pjesë shumë e rëndësishme, me ndikim në ekonomi e vendit dhe qeveria ka interesin e fortë, që me paratë publike të ndërtojë vepra, të marrë shërbime me kosto të mirë dhe cilësi maksimale dhe t’i marrë ato në kohë dhe pa zvarritje, që kanë kosto shtesë në buxhetin e shtetit”. I pranishëm në tryezën e diskutimit të projektligjit “Për prokurimin publik”, që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e titullarëve të institucioneve të linjës dhe përfaqësuesve të huaj, Braçe theksoi se “një procedurë prokurimi, transparente e pandikuar me garë reale, efektive në kohë në çdo fazë të saj, mbetet një interes absolut i qeverisë”.
“Nga ana tjetër ne nuk duam kurrë sesi që kontratat publike të ndikojnë në tregje të favorizojnë njësi ekonomike, duke i fuqizuar padrejtësisht ata. Pra gara e ndershme dhe transparente mbetet për ne prioritet”, theksoi zv.kryeministri. Ai tha se “ka pasur akuza politike për atë që njihet si procedura pa garë, ndonëse kjo është një procedurë e parashikuar në ligj. Duke iu referuar shifrave zyrtare, Braçe tha se, “gjatë vitit që kaloi, janë vetëm 192 procedura të tilla nga 7384 në total, pra vetëm 2,5% e procedurave. Ky është niveli më i ulët historik në 10 vitet e fundit. Në vlerë zuri vetën 2.3 miliardë lekë nga 110.6 miliardë lekë të prokuruara në total. Edhe këtu është vetëm 2.1% e vlerës totale të përmbyllur”.
“Të ulësh në 2.1% nga 13.9% këtë procedurë prokurimi është arritje pozitive. Nga vlera e prokuruar edhe nga tenderat pa garë, prej 92 miliardë lekë janë kursyer 7.8 miliardë lekë . Ky kursim është sa 8.7% e fondit të tenderuar. Të kursesh më shumë përmes garave fiktive dhe të rrisësh kursimet në 8.7%, 90 miliardë lekë të prokuruar në 2019, nga 6.2% ose 102 miliardë lekë në 2018 është një punë e mirë”- u shpreh Braçe. E thënë kjo, vijoi ai, ligji për prokurimin publik është një ndër instrumentet kryesorë strategjikë që ndihmon qeverinë të arrijë objektivat ekonomike, sociale dhe të mjedisit nëpërmjet një sistemi të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent të mirë përdorimit të fondeve publike dhe shpenzimeve të qeverisë.
Zv.kryeministri tha se, ndryshimet që materializohen në këtë pr.ligj synojnë garën efektive, një proces transparent dhe tërheqjen e operatorëve cilësorë. Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë përdorimin e kriterit për vlerësim “oferta ekonomikisht më e favorshme”, e cila identifikohet në bazë të çmimit dhe kostos, duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos. Pr.ligji njeh për herë të parë, konceptin e reduktimit të numrit të operatorëve ekonomikë të kualifikuar, në procedurat me faza, nëse një gjë e tillë përcaktohet si mundësi nga autoriteti kontraktor që në dokumentet e tenderit.
“Gjithashtu ulë afatin minimal të periudhës së përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike, duke filluar nga 3 muaj. Ndërsa redukton afatet e shqyrtimit të ankimimit dhe shqyrtimit të dokumenteve”- tha Braçe, duke vënë theksin në “vullnetin e qeverisë për garë të hapur, zero tolerancë për abuzuesit, procedurë transparente që lehtësojnë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, shmangin zvarritja e procesit të prokurimit dhe reduktojnë korrupsionin dhe konfliktin e interesit”. “Qeveria synon për ndryshime në ligjin e prokurimit publik të rrisë maksimalisht fitimin për buxhetin dhe qytetarët”, deklaroi Braçe.