Nga Enver Robelli/

Pak ka mbetur nga shkëlqimi i vjetër. Fasada e gjelbër e xhamit të ngjall neverinë dhe duket e mjerueshme. Në brendi të ndërtesës qilimat ngjyrë hiri dhe mobilet e vjetra kanë një sharm jugo-socialist të viteve ‘70. Jashtë kohe duken edhe personeli i pastrimit dhe brigadat e kamerierëve.

Qendra e kongreseve «Sava centar» në Beograd ka parë ditë më të mira. Në të vërtetë këtu ende organizohen aktivitete, për shembull kongrese mekësh apo koncerte të filharmonisë kineze. Por të hyrat nuk i mbulojnë shpenzimet e mirëmbajtjes në vlerë prej 400 mijë euro. Rrjedhimisht, administrata e qytetit është e shtyrë të ndihmojë.

Tani ajo me dëshpërim po bën përpjekjen e tretë për të shitur margaritarin e arkitekturës jugosllave të brutalizmit. Mirë, gati askush nuk dëshiron ta blejë atë. Së paku deri më tani. Ofertat e oligarkut Mirosllav Mishkoviq nuk janë marrë parasysh. «Serbi më i pasur» një kohë të gjatë konsiderohej si i paprekshëm, por qe disa vjet ai gjendet në shënjestër të drejtësisë dhe ndërkohë është dënuar me dy vjet e gjysmë burg për nxitje të evazionit fiskal.

Autoritetet kanë ide të qarta mbi të ardhmen e qendrës së kongreseve: nga blerësi kërkohet që në pesë vitet e para të investojë rreth 50 milionë euro për sanimin e ndërtesës – dhe ai nuk guxon t’ia ndërrojë destinimin. Kjo për shkak se «Sava centar» i takon trashëgimisë arkitektonike të Beogradit: si pak ndërtesa të tjera ajo pasqyron historinë e shtetit shumëkombësh jugosllav.

Ishte personalisht autokrati dhe mareshali i partizanëve Josip Broz Tito, i cili nga mesi i viteve ’70 dha urdhër për ndërtimin e qendrës së kongreseve. Atëbotë Jugosllavia luante rol udhëheqës në të ashtuquajturën lëvizje të të painkuadruarve. Ky grumbull i shteteve shumë të ndryshme nga Afrika, Amerika Latine, Azia dhe bota arabe përpiqej të arrinte pak më shumë pavarësi nga fuqitë e mëdha në Lindje dhe Perëndim.

Kryeqyteti i Jugosllavisë ishte atëherë një lloj vendi për haxhillëk politik për keqbërës e diktatorë, revolucionarë me profesion dhe antikolonialistë të zjarrtë. Në territorin e ish-Jugosllavisë edhe sot mund të takohen njerëz që quhen Naser, Gadaf apo Indira. Sundimtari i Egjiptit Xhamal Abdel Naseri, tirani libian, Muamar al-Gadafi, dhe kryeministrja e Indisë, Indira Gandi, ishin aleatë të Titos në lëvizjen e të painkuadruarve.

Pas hapjes së qendrës së kongreseve në breg të lumit Sava më 1977, aty erdhën së pari diplomatë nga mbarë Europa (edhe nga Zvicra) që në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (KSBE) të negociojnë mbi shtendosjen politike dhe ushtarake. Talenti perëndimor i ndërmarrësisë dhe dëshira lindore për prestigj i ndihmuan kësaj anije prej xhami të ngjitet në lartësi, shkruante atëbotë magazina gjermane «Der Spiegel»: «Bankat amerikane dërguan 18 milionë dollarë kapital, nga Italia u sollën 10 mijë metra katrorë xham, nga Europa Perëndimore arritën shtresat e plastikës». Edhe pas vdekjes së Titos më 1980 në «Sava centar» u mbajtën disa takime të organizatave ndërkombëtare.

Në shtator të vitit 1989, pak para rënies së Murit të Berlinit, në qendrën më të madhe të kongreseve të Beogradit u mblodhën liderët e shteteve të lëvizjes së mosinkuadrimit. Për të evituar çdo konfrontim mes shteteve në zhvillim që ishin para kolapsit, vendet si Liberia dhe Sudani u lejuan që disa anije që i kishin blerë nga Jugosllavia t’i paguanin me banane dhe pambuk.

Mysafiri që tërhoqi më së shumti vëmendje ishte Muamer al-Gadafi. Libiani aterroi në Beograd me gjashtë deve, të cilat ia dhuroi kopshtit zoologjik të Beogradit, dhe me dy kuaj elegantë të racës arabe. Në fjalimin e tij biri i një beduini sulmoi ashpër vëllezërit e tij të painkuadruar. Shfrimi i tij ishte legjendar: «Lamtumirë, takim qesharak».

Pas kësaj komedia filloi tragjedia. Për të evituar shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, në janar 1990 në «Sava centar» u mblodhën komunistët nga të gjitha anët e vendit.

Shumë njerëz nga Sllovenia në veri deri në Maqedoni në jug e përcollën me interesim të madh në televizion Kongresin e ’14 të Lidhjes së Komunistëve. Kur shumica populliste-nacionaliste e prirë nga lideri serb Sllobodan Millosheviq i hodhi poshtë të gjitha propozimet për demokratizimin dhe decentralizimin hap pas hapi të Jugosllavisë, sallën së pari e braktisën komunistët reformatorë sllovenë dhe pas tyre edhe kroatët. Kështu mori fundi fati i partisë që e kishte sunduar Jugosllavinë më shumë se katër dekada. Tani epërsinë e morën ideologët nacionalë dhe luftënxitësit.

Pjesë e qendrës së kongreseve «Sava centar» ka qenë edhe hoteli Intercontinental. Kjo bujtinë në vitet ’90 ishte vendgrumbullim i profiterëve të luftës. Andaj pakkush qe i befasuar kur më 15 janar 2000 në hyrje të hotelit, në një breshëri plumbash, mori fund jeta e Zhelko Razhnjatoviq Arkanit, një krimineli të luftës dhe mbreti të nëntokës. Hoteli bart sot një emër tjetër dhe pronari i ri quhet Mirosllav Mishkoviq – po ai oligark që deri më tani pa sukses është përpjekur ta përvetësojë edhe «Sava centrin».

(Tages Anzeiger, Zürich)