Shqipëria në syrin e kamerës dhe nën projektorët e teatrit. Kjo ishte një nga temat që paneli i emisionit “Java në RTSH” diskutoi me regjisorin Gent Kame, kineastin Eno Milkani dhe arkiten Arnisa Lushaj.Kjo e fundit solli eksperiencën e saj gjatë bashkëpunimit me filmat. Lushaj tha se gjithçka nisi si kontribut duke përfunduar më pas si skenografe. Edhe sipas Lushajt, në Kosovë është vënë re një interes i lartë në raport me artin skenik, gjë të cilën në Shqipëri është vështirë ta gjesh.“Unë nuk e kisha menduar se do merrja pjesë ndonjëherë si skenografe në një film me metrazh të gjatë. Por gjithcka nisi si një eksperiencë për të ndihmuar disa miq sapo u ktheva nga Franca. Sigurisht që proceset kanë vështirësitë e tyre, por cdo njeri mund të arrijë atje ku do, falë pasionti dhe dëshirës” – tha Lushaj.
Ndërkohë, regjisori Gent Kame tha në studio se kinematografia shqiptare rezulton me probleme të mëdha, që kërkojnë një zgjidhje.Sipas tij, në vend mungon prodhimi audioviziv vendas, ndërsa ekranet po ‘mbyten’ nga prodhimi i huaj. Për të nxitur investimet në filma dhe teatro shqiptarë, Kame u shpreh se janë politikat ato që mund ta zhvillojnë këtë sektor.“Investimet apo mbështetja nga sektori privat për filmin shqiptar mund të nxitet përshembull duke u krijuar lehtësira fiskale atyre bizneseve që ndihmojnë artin” – tha Gent Kame.Ndërkohë që kineasti Eno Milkani u shpreh se Shqipëria është e fundit në rajon sa i përket vëmendjes ndaj prodhimeve kinematografike. Ai madje solli eksperiencën e tij në Kosovë ku është vënë re një mbështetje e madhe ndaj prodhimeve audiovizive, si dokumentarët apo filmat.“Ne jemi në vend të fundit për buxhetin e filmave. Duhet kuptuar se duke pasur një buxhet të vogël, kjo kushtëzon si aktorët, ashtu edhe bashkëpunimet” – tha Milkani.