Maturantët kanë mundësi tashmë që nëpërmjet portalit “e-Albania” të marrin shërbime online, 2 prej të cilave janë notat e provimeve të maturës shtetërore, si dhe kopjet e testit të provimeve të maturës shtetërore. Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Z. Olti Rrumbullaku ka inspektuar dy shërbimet online në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Znj. Rezana Vrapi.
Maturantët/kandidatët që dëshirojnë të marrin vërtetim të notave të provimeve të maturës shtetërore, mund ta sigurojnë atë elektronikisht duke aplikuar në portalin “e-Albania”. Mjafton të bëhet një kërkesë online dhe QSHA pranon këtë kërkesë dhe ua dërgon atyre elektronikisht vërtetimin e notave të provimeve të maturës shtetërore. Ndërkohë, edhe për aplikimin online të kopjes së testit të provimeve të maturës shtetërore, vlen e njëjta gjë. Maturantët/kandidatët që dëshirojnë kopje të testit të provimeve të maturës shtetërore e sigurojnë atë në hapësirën elektronike. QSHA, në bazë të kërkesës për kopje të testit të provimeve të maturës shtetërore, u dërgon kopjet elektronike të testeve të vlerësuara.
Për kryerjen e aplikimit online nuk kërkohet asnjë dokumentacion shoqërues.