Shkolla e mesme e bashkuar “Ymer Lala” në Surrel, fshatit ku banon kryeministri Edi Rama është rikonstruktuar rrënjësisht. Edi Rama priti sot në katundin e tij, sikur tha ai, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe deputetin e zonës Xhemal Qefalia, ku pa nga afër ambientet e shkollës dhe theksoi se ndërhyrja e fundit kishte qenë që në 1969. Bashkia kishin organizuar pritjen me aheng, por kryeministri nuk kurseu batutat duke i thënë Veliajt dhe Qefalisë se ‘nuk gënjehen me dajre apo firzamonikë, pasi kanë nevojë për më shumë investime’. “Është e vërtetë se na lanë një cikë mbrapa, e kapën veshin mbrapsht, shkuan nga Krraba. Kur këta tonët i shkonin deputetit, ai u thoshte ju keni kryeministrin. Dhe më vjen mirë që sot ka përfunduar ky projekt. Shkolla ka qenë në gjendje të keqe, nuk është investuar nga 1969, që unë kam qenë sa Zaho, 5-vjeç. Edhe Xhemali (Qefalia) është si diversant në Surrel, se nuk është i Surrelit, por më andej dhe thotë se unë po e bëj timen se me kryeministrin…

Ne po presim por tolerancën tonë mos e merrni për dobësi, nuk na rreni as me dajre apo firzamonikë, por ne kemi nevojë për më shumë. Përtej shakave që janë gjysma e së vërtetës, i falenderoj shumë. Mos na shihini se jemi me shallvare se gaboheni shumë, për pantallona apo kravatë ju vëmë përpara. Ishte një çun atje me kostum, perfekt, asnjë deputet nuk vishet ashtu, prandaj mos na provokoni” tha Rama.