Një histori emocionuese me fund të lumtur nga Gramshi. Fjona Baçi, një vajzë me aftësi ndryshe e cila banon në periferi të qytetit në lagjen Koçaj ka përjetuar ndjesi të trishta gjatë këtyre ditëve. Kjo, pasi pranë shtëpisë së saj, një qen ishte bllokuar në një shkëmb nuk mund të dilte. Sa herë që qeni qante për ndihmë, Fjona niste të qante gjithashtu se ndjehej shumë keq. Familja e saj e kishte të pamundur ta nxirrte qenin prej andej për shkak se kishte ngecur në një zonë të thepisur ndaj u thirr në ndihmë reparti i Zjarrfikësve në Gramsh.

“Sapo mësuam këtë lajm, menjëherë organizuam punën për të shpëtuar qenin, por mbi të gjitha për të plotësuar dëshirën e Fjonës”, shprehet Ilir Llapushi, shef i repartit zjarrfikës në Gramsh. Operacioni nuk ishte dhe aq i lehtë. Burrave u është dashur që të zbresin me litar për të shkuar tek kafsha e gjorë. Dhe, pas shumë përpjekjesh e kanë nxjerrë atë prej andej. Fjona e lumtur që qeni u shpëtua u ka dhuruar edhe një tufë me lule zjarrfikësve të cilët janë emocionuar dhe përlotur. “Ishte një nga surprizat më të mëdha të jetës sime. Rasti na e ka sjellë që të bëjmë punë shumë më të mëdha dhe të vështira se sa kjo. Por rasti i Fjonës ishte vërtet emocionues”, tha më tej shefi i repartit të zjarrfikësve. Ndërkaq, mësohet se pas 7 ditësh që kishte pa ngrënë, tashmë qeni ka nisur të hajë.