Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në shtëpinë Marjana Rexhepit, banesa e së cilës u dëmtua nga tërmeti. Marjana, ka shpëtuar mrekullisht nga ajo lëkundje tragjike e 26 nëntorit, duke rezistuar 13 orë nën gërmadha, por humbi nënën e saj. Sot ajo ka hyrë në banesë të re, teksa siç shprehet edhe vetë po jeton një jetë të dytë.
“Mendove për një jetime, faleminderit shumë. Respekte shumë për ju. Jeta kështu e ka. Tërmeti ishte një gjë e papritshme. Kam qëndruar 13 orë nën gërmadha, Luani është heroi dhe Rama që solli ndihmësat shumë shpejt”, tha Marjana.
Prefekti ka bërë me dije se këto ditë që është ftohtë banorët janë strehuar në çadra dimërore, ku ngrohja do të bëhet me soba me dru, teksa Rama shtoi se janë edhe 250 çadra të tjera që priten të vijnë, por janë vonuar për shkak të festave. Ai gjithashtu njoftoi se po punohet për projektet e shkollave dhe spitale dhe tha se qëllimi është që të vihen në funksion në fillim të shtatorit, kur dhe fillon shkolla.
“Do ta zgjidhim për punë pak ditësh këtë . Ne sot kemi kaluar tek vendimet në qeveri të gjitha hallkat e para. Duhen adaptuar me kuadrin e gjendjes së emergjencës. Duhet të jenë edhe transparente. Sfida është t’i sjellim në një situatë më të mirë se përpara, përndryshe ça kuptimi ka. Ajo gjë që vlen për të gjithë është ta ndërtojmë më mirë se ishte. Ndërkohë po bëjmë dhe projektet e shkollave dhe spitaleve dhe besoj që do t’i kemi në funksion në fillim shtatorit kur fillon shkolla, ky është qëllimi im”, tha Rama.
Nga ana tjetër, prefekti, sqaroi se janë hapur 12 pika në qytet ku po bëhen merimentime, po bëhen ndërhyrje dhe tek banesat e dëmtuara nga tërmeti i parë. “12 pika në qytet ku po bëhen merimentime. Në përgjithësi situata është e mirë. Kemi ndjekur edhe zonat e dëmtuara nga tërmeti i parë”, tha prefekti.