Qeveria shqiptare me një vendim për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2020 ka vendosur sot vijimin e financimit për Programin e mbështetjes me bonusin 2.5 milion lekë mbi pagën, për mjekët specialistë, që ofrojnë shërbim në spitalet rajonale apo bashkiake ku ka nevojë për shërbime të specializuara. Vendimin e fundit të qeverisë shqiptare e ka publikuar ne profilin e saj në facebook Ministrja Manastirliu duke shkruar se 23 mjekë kanë përfituar deri tani nga bonusi 2.5 milionë lekë mbi pagën. “Qeveria ka vendosur sot vijimin e financimit për Programin e mbështetjes me bonusin 2.5 milion lekë mbi pagën, për mjekët specialistë, që ofrojnë shërbim në spitalet rajonale apo bashkiake ku ka nevojë për shërbime të specializuara. Deri tani 23 mjekë specialistë kanë përfituar nga incentiva financiare e qeverisë për mbështetjen e mjekëve specialistë”, shkruan Manastirliu

Vendimi

Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.