Sulmuesi kosovar, Milot Rashica, e ka përgënjeshtruar lajmin se ai ka thënë se ka ëndërruar gjithmonë të luajë për Real Madridin dhe se e ka lojtar të preferuar Cristiano Ronaldon. Milot Rashica e ka marrë vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse, të cilat bënë që ai të jetë në listën e sulmuesve më të mirë të Bundesligës, të publikuar nga revista gjermane Kicker, transmeton Gazeta Express.
Paraqitjet e tij kanë bërë që shumë tifozë ta imagjinojnë Rashicën si lojtar të klubeve më të mëdha historike në futboll, si Real Madridi. Megjithatë, kosovari së fundi e përgënjeshtroi një lajm se ai ka thënë se e ëndërron Real Madridin. “Qysh kur isha i vogël, dëshira ime ishte të luaja për Real Madridin. Lojtari im i preferuar është Ronaldo. Shpresoj që një ditë të luaj atje”, u citua se kishte thënë Rashica.
Këtij postimi, Rashica iu përgjigj duke komentuar: “Pse po rreni?” 23-vjeçari është lidhur me një transferim në Premierligë gjatë muajve të fundit, por Rashica përfundimisht “do të qëndrojë te Werder deri në fund të sezonit” sipas agjentit të tij, Altin Lala.
“Afati kalimtar i dimrit nuk është dhe s’do të jetë shqetësim”, kishte thënë më tutje Lala në një intervistë për ‘Kicker’.