Álvaro Odriozola tashmë është një lojtar i ri i Bayern Munich. Krahu i djathtë i Real Madridit largohet drejt skuadrës gjermane, ku do të përpiqet të shijojë më tepër minuta aktivizim, çka i ka munguar nën urdhërat e Zinedine Zidane. Këtë sezon ai ka luajtur vetëm pesë ndeshje dhe ka mbetur jashtë grumbullimit në 17 nga 28 të tjera në total, gjë që e ka shtyrë atë të gjente një rrugëdalje në merkaton e dimrit.
Odriozola është huazuar, në parim, për gjashtë muaj, me qëllim që të luajë rregullisht dhe të dëshmojë se është një futbollist i vlefshëm për një klub të nivelit të Champions-it. Në horizont është “Euro 2020” (mision shumë i komplikuar, por mos harroni që ishte në Kupën e Botës në Rusi) dhe për këtë nuk e ndihmonte dot qëndrimi në hije te Real Madridi. Me një kontratë deri në vitin 2024, ai është i vetëdijshëm se nuk përfshihet te të preferuarit e Zidane. Madje, sezonin tjetër, kur të rikthehet Akraf, e ka edhe më shumë të vështirë që të luajë te të bardhët.
Për momentin, Carvajal është i pakonkurueshëm në anën e djathtë. Real Madridi nënshkroi me Odriozola sezonin e kaluar për 40 milionë euro, një operacion i duartrokitur nga bota e futbollit, por që nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Në sezonin e pare, ai luajti 22 ndeshje, duke shënuar një gol dhe nëntë asiste. Megjithatë, këtë sezon, numri i paraqitjeve të tij ka rënë ndjeshëm. Pesë ndeshje, zero gola dhe një asist është bilanci i tij në edicionin aktual. Te Bayern Muncih, ai do të duhet të luftojë me Pavard për një vend titullari.