Alfred Peza

As praktika politike, as teoria e propablitetit, as historia e demokracisë dhe as tri dekadat e pluralizmit në Shqipëri, nuk e favorizojnë opozitën tonë që të vijojë rrugën e re që ka zgjedhur përgjatë 2020, me të njëjtat argumentat dhe kauza me të cilat e mbylli si mos më keq vitin 2019. Arësyeja është fare e thjeshtë. Ajo lidhet me thelbin e dy qasjeve, dy rrugëve dhe dy mënyrave krej të kundërta të të bërit politikë nga ana e saj, përgjatë këtyre dy viteve të fundit. Nëse si sot e një vit më parë, opozita jonë doli jashtë Parlamentit dhe sistemit politik e demokratik të vendit, ajo e nisi vitin e ri politik me rikthimin brenda sistemit. Ndaj, ajo nuk mundet që të mbërrijë dot në destinacionin e dëshiruar përmes rrugës së “re”, duke vijuar që të eci, përgjatë gjurmës së saj të “vjetër”.

Nëse gjatë vitit të shkuar opozita jonë doli në rrugë për ta rrëzuar qeverinë dhe përdori të gjitha mjetet e rrugës për ta realizuar këtë, ato nuk pijnë më ujë dhe nuk bëjnë më dot punë, duke qenë e ulur në të njëjtën tryezë, në të njëjtat komisione reformash, brenda të njëjtit sistem dhe duke qëndruar në të njëjtat institucione, përballë mazhorancës. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të mos kishte ndryshuar asnjë rrethanë dhe sikur gjithçka ti kishte sjellë jo dështimin e vet më spektakolar, por suksesin më të madh në histori, opozita jonë vazhdon pa u shqetësuar që të operoje me metodat e saj të vjetra. Me kauzat e vjetra. Me mënyrën e vjetër. Me çështjet e vjetra. Me temat e vjetra. Me akuzat e stërvjetra. Me retorikën e dalë boje. Me stilin dhe metodën e saj të pandryshueshme.

E keni vënë re besoj se nuk kanë ndërmarrë prej një muaji, qëshkurse ndryshuan totalisht kurs, asnjë nismë të re. Nuk kanë zhvilluar asnjë aksion të ri politik. Nuk kanë artikuluar asnjë tezë të re kundër mazhorancës. Nuk kanë hedhur asnjë hap të ri organizativ në terren. Nuk kanë shpalosur asnjë kauzë të re publikisht. Nuk kanë sjellë asnjë temë të re në diskursin publik. Më e keqja është se liderët e opozitës sonë, as që e kanë pranuar ende publikisht se gabuan me rrugën e vjetër. Se e braktisën atë, në mometin që u rikthyen për tu ulur në tryezën e reformës së re elektorale, duke e shfrytëzuar si deriçkën shpëtimtare për të hyrë në rrugën e re. Është pikërisht kjo qasje e pasinqertë, që i pengon me sa duket Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe aleatët e tyre të “Opozitës së Bashkuar”, që të dalin përballë qytetarëve për tia thënë të vërtetën në sy, ashtu siç ajo është në të vërtetë. E vërteta e tyre është fare e thjeshtë. Mjafton të pranojnë se pushteti nuk meret duke dale jashtë, por duke qenë brenda Parlamentit. Pushteti nuk meret duke i sulmuar me molotov institucionet kushtetuese, por duke i forcuar ato përmes reformave të thella të shtetformimit modern, siç është ajo e drejtësisë. Se pushteti nuk meret duke bojkotuar zgjedhjet, por duke marë pjesë në to. Se legjitimiteti i pushtetit nuk buron nga rruga, por vetëm nga vota e qytetarëve shqiptarë.

Për aq kohë sa nuk do të ndodhë kjo, edhe sikur ta kenë gati që tani dhe sikur të kenë dëshirën më të madhe, liderët e opozitës sonë e kanë të pamundur që ta paraqesin e ta shpjegojnë publikisht, strategjinë e tyre të re për tu rikthyer në pushtet. Por nëse nuk hidhet ky hap, nëse ende kërkojnë që të fshihen si struci pas tryezës së reformës zgjedhore dhe pas harresës, me shpresën se koha do ti shërojë të gjitha plagët përfshi edhe ato që u hapën gjatë 2019, e kanë shumë gabim. Sepse më shumë se për gënjeshtrat e vjetra, qytetarët kanë nevojë për shpresat e reja, të një fillimi të ri ndryshe. Asnjë prej opozitarëve të sotëm, nuk e ka të qartë se cila është ajo platformë e re politike e opozitës, që ata duhet ta njohin, ta kuptojnë, ta besojnë në mënyrë që ta ndjekin për ti dhënë mundësinë me votën e tyre, që ta jetësojnë nesër. Sikundër ata duan qe të dijnë se çfarë programi dhe alternative ndryshe, kanë udhëheqësit e tyre, ndaj asaj të qeverisë aktuale. Sepse vetëm kështu mund të besojnë se rruga e re, nuk do të jetë thjeshtë një përsëritje e dështimit të vjetër. Por, një mundësi e pashfrytëzuar prej saj, për një sukses të ri!