Ndryshimi në ligjin e procedurave tatimore lehtëson procedurat e verifikimit dhe kontrollit për punonjësit e papaguar të familjes për tatimpaguesit persona fizikë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi sot se “është hequr detyrimi i personit fizik që të vërtetojë pranë organit tatimor brenda 5 ditësh, se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes”.
“Konkretisht, në rast se nga kontrolli në ambientet e biznesit të tatimpaguesit person fizik, evidentohen persona të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, atëherë vetë organi tatimor vërteton përmes portalit “e-Albania”, nëpërmjet certifikatës familjare të të vetëpunësuarit, nëse personi i evidentuar plotëson ose jo kushtet për t’u konsideruar si person i papaguar i familjes apo si bashkëjetues, sipas kuptimit të Kodit Civil”, thuhet në njoftimin e DPT-së.
Ky ndryshim është një nga efektet e drejtpërdrejta pozitive të ofrimit të shërbimeve online dhe të qarkullimit elektronik të informacionit, brenda institucioneve të administratës publike.