Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot shërbimet online, një revolucion dixhital që do të lehtësojë shumë qytetarët në të gjithë sektorët. Në fjalën e tij në përurimin e spitalit “Frederik Shiroka”, Kryeministri Rama theksoi se “deri më sot kemi pasur një fluks marramendës, masiv, popullatë në lëvizje, një popull i tërë në lëvizje nga zyra në zyrë për të marrë letra, për të mbushur një aplikim dhe për ta çuar në një sportel për të marrë kartën e shëndetit”.

“Të gjitha këto mbarojnë dhe aplikimet mund të bëhen të gjitha nga shtëpia, nga telefoni, nga cilido kompjuter pranë, duke marrë shteti përgjegjësinë për dokumentin që deri dje ia ka kërkuar qytetarit. Kishte një vërtetim që ju nuk do ta besoni për të kërkuar një njeri të humbur jashtë shtetit, personi që e kërkon duhet të paraqesë kartën e identitetit të të humburit, nëse të humbet një i afërm dhe ti do shkosh ta kërkosh duhet të kesh me vete pasaportën e të humburit, pra ai para se të humbasë duhet të të dorëzojë pasaportën përndryshe ti nuk aplikon dot. Një mal me letra nga më të çuditshmet që ne po i heqim”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “deri në fund të vitit do kemi një përmbysje në këtë proces me aplikimin , ndërsa brenda një periudhe 3 vjeçare do të arrijmë edhe të gjitha përgjigjet online që të mos kesh nevojë më të shkosh të marrësh dokumentin. Nëse sot ne kemi futur aplikimin për hipotekën që është një nga pikat më të rënda të pritjeve do të arrijmë jo vetëm të aplikosh, por do të arrijmë që dokumentin ta marrësh në telefon me vulë elektronike, ta marrësh nga kompjuteri dhe të gjitha sportelet të mbyllen”.