Bashkia e Shijakut ka nisur procesin e aplikimit online për qytetarët e prekur nga tërmeti të cilët mund të përfitojnë nga programi i rindërtimit nëpërmjet platformës “SHTËPIA IME”. Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër procesin e aplikimit online, ku qytetarët zgjedhin një prej programeve që do t’iu vijë në ndihmë, pas dëmtimeve të banesave të tyre si pasojë e tërmetit. Ambra Beqiri, juriste pranë bashkisë së Shijakut, njëkohësisht e angazhuar në grupet e punës në kuadër të platformës online në ndihmë të qytetarëve shpjegon për ATSH-në, se janë 7 hapa të cilat duhet të ndiqen. Ajo shpjegoi se procedura është e thjeshtë dhe aplikimi bëhet nga punonjësi i bashkisë, ndërsa qytetari që paraqitet firmos në fund të procesit, në formularin e plotësuar.

“Nisim me aplikimin e parë për qytetarin. Kemi numrin e protokollit për secilin aplikant. Vazhdojmë me të dhënat personale, mbiemrin, marrin fotokopjen e kartës së identiteti, datëlindjen, rrugën, numrin e pallatit për të cilin bëhet fjalë, numrin e telefonit, një email. Qytetarët mund të zgjedhin nga programi i strehimit (RDS4-RDSS), granti për rindërtim (GR), granti për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara(DS1-DS2-DS3) sipas akt-konstatimeve. Pasi shënojmë të dhënat personale të qytetarit, të dhënat e familjarëve si edhe të gjitha të dhënat për banesën. Më pas, pyesim qytetarin për programin në të cilin do të aplikojë sipas akt-konstatimeve. Janë shtatë hapë të cilat shënohem me radhë. Pasi shënojmë të gjitha të dhënat, në fund del opsioni në print dhe qytetari duhet të firmosë që është dakort me të gjithë formularin e plotësuar së bashku me të”, -u shpreh punonjësja e bashkisë Shijak.

Beqiri u bëri apel qytetarëve që të paraqiten pranë bashkisë së Shijakut për të kryer procesin e aplikimit, i cili plotësohet nga punonjësi i bashkisë. Aktualisht, bashkia e Shijakut ka ngritur disa grupe pune, për të përshpejtuar procesin e aplikimit dhe përballuar intensitetin e punës kundrejt qytetarëve të shumtë që paraqiten për aplikim.