Deputeti Ilir Beqja, ish- ministër i Shëndetësisë, ka hedhur poshtë spekulimet me shifrat rreth projektit për sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë dhe provon se vetë shifrat e publikuara që duan të ilustrojnë “spekullimin”, në fakt provojnë të kundërtën.
Nga Ilir Beqja
Spekullimi më I fundit me rezultatet konkrete të projektit të shërbimit për sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë po bëhet duke keq lexuar keq shifrat reale, dhe duke analizuar vetëm një nga pesë zërat e këtij shërbimi. Nuk di nëse bëhet nga padija ose nga zelli politik për të përbaltur, por po përpiqem tua faktoj se janë gabim dhe se e vërteta është ndryshe, edhe në shifrat që ata citojnë. Së pari, në mënyrë të përsëritur kam evidentuar se projekti në fjalë nuk përfshin vetëm sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë por 5 elementë të ndryshëm dhe bashkëplotësues njëherazi për të garatuar maksimumin e sigurisë në sallat kirurgjikale të spitaleve publike shqiptare. Këta 5 elementë janë:
-Furnizimi i rreth 120 mijë instrumentave të rinj kirurgjikalë të cilësisë bashkëkohore të organizuar në sete të veçantë të ndarë sipas tipeve të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe të grupuar në tre klasa sipas kompleksitetit -Ngritjen dhë vënien në punë të disa centraleve dhe nëncentraleve të sterilizimit -Furnizimin para çdo ndërhyrje kirurgjikale të materialeve pëlhurë një përdorimëshe për ekipin mjekësor dhe shtratin operator -Dezinfektimin e sallës së operacioneve në fund të çdo dite -Trajtimin e mbetjeve biologjike që rezultojnë nga materialet një përdorimëshe të përdorura për çdo operacion dhe kthimin e tyre në mbetje urbane të parrezikshme. Sipas përcaktimeve të kontratës, në tri vitet e fundit të zbatimit të saj, kompania e kontraktuar është e detyruar të riinvestojë rreth 70 % të investimit fillestar në mënyrë që pas përfundimit të kontratës spitalet tona publike të kenë qoftë instrumenta kirurgjikalë në gjendje të mirë pune, qoftë centrale sterilizimi në gjendje të mirë pune. Së dyti, një portal ka sjellë për ilustrim të dhëna të marra nga Assosistema në Itali.
Autorët e shënimit tek ky portal, ose nuk kanë qënë në gjendje të lexojnë e kuptojnë si duhet çfarë kanë marrë nga Assosistema ose qëllimisht kanë përcjellë informacion të pjesshëm. Në vijim është një studim i përbashkët i Assosistema dhe Bocconi School of Management. Dokumenti është në italisht. http://www.assosistema.it/wp content/uploads/2018/01/Sardegna_19gennaio2018_rev..pdf Midis të tjerash, për vlerësimin e kostove të sterilizimit, studimi i referohet edhe një treguesi të quajtur US. Nëse autorët e shënimit nuk janë në gjendje të kuptojnë se çfarë është US, atëhere më duhet të shpjegoj se US është një njësi matëse e standartizuar (unita di sterlizzacione) që bazohet në një volum 30 X 30 X 60 dhe përmban rreth 56 litra. Container të set-ve për çdo ndërhyrje janë rreth 2,2 deri 2,8 US. Pra një ndërhyrje kirirgjikale nuk është një US, por më shumë se dy US. Studimi është bazuar në të dhënat e mbledhura në disa spitale të ndryshme të Italisë dhe më tej ka ndërtuar një model për t’u patur si bazë reference për këdo që mendon të administrojë me outsourcing instrumentarin kirurgjikal të spitalit. Studimi përmban dy komponentë: -Outsourcing të sterilizimit -Marrjen me qera të instrumentave kirurgjikalë
Ai bazohet në supozimin se në një central sterilizimi do të shërbejë për një numër rreth 26,500 ndërhyrje kirurgjikale në vit (faqe 19) dhe që ky central mbulon një territor rreth 100 km. Për të krirjuar një ide, në QSUT kryhen rreth 28,500 ndërhyrje kirurgjikale në vit. Në faqen 22, studimi tregon se për të ngritur një central sterilizimi nevojiten 4,9 milion euro, ndërsa për ta vënë në funksionim nevojiten 3 milionë euro në vit. Bazuar në sa më sipër, sipas studimit (faqja 23) kostoja mesatare e procesit të sterilizimit për ndërhyrje kirurgjikale është 111,5 euro. Më tej studimi analizon koston e marrjes me qera të instrumentave kirurgjikalë. Në faqen 30, sipas studimit rezulton se kostoja mesatare e një instrumenti kirurgjikal është 143 euro, kostoja mesatare e një container të instrumentave është 800 euro. Kështu sipas çmimeve të studimit italian, 120 mijë instrumenta kirurgjikalë që kanë ardhur në Shqipëri duhet të kenë kushtuar rreth 17 milionë euro. Në faqen 35, studimi konkludon se nëse instrumentat kirurgjikalë për të plotësuar nevojat e 26,500 ndërhyrjeve në vit merren me qera, çmimi mesatar për ndërhyrje kirurgjikale i marrjes me qera të instrumentave është 48,25 Euro. Kështu nëse do të kemi marrje me qera të instrumentave dhe sterilizim me outsourcing, për një ndërhyrje kostoja është 159,75 euro. Nëse do të zbatojmë dhe një normë fitimi rreth 10 %, atëhere çmimi në Itali do të jetë 175 euro për ndërhyrje kirurgjikale.
Bazuar edhe në të dhënat e publikuara nga portal faktoje. Al, në vitin 2018 janë shpenzuar për kontratën e shërbimit të integruar 2,078,891,040 lekë. Në këtë shumë është edhe Tatimi mbi vlerën e Shtuar. Pa TVSH, kjo shumë është 1,732,409,200 lekë. Në vitin 2018 janë kryer 90,000 ndërhyrje kirurgjikale. Çmimi mesatar për ndërhyrje në vitin 2018 rezulton se është rreth 19,249 lek apo rreth 156,5 euro. Në ndryshim nga studimi Italian i referuar më sipër, në Shqipëri në çmim përfshihen edhe: -Veshjet njëpërdorimëshe -Dezinfektimi i sallës në fund të çdo dite -Trajtimi i mbetjeve të rrezikshme biollogjike të krijuara nga çdo ndërhyrje kirurgjikale. A qëndron apo jo titulli i faktoje.al “Milionat për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale, “luksi” që s’ia lejon vetes as Gjermania dhe Italia”, lexuesi le të gjykojë vetë. Të paktën, për Italinë sipas të njëjtit burim që ka përdorur faktoje.al rezulton se shpenzohen 18 euro më shumë se Shqipëria për ndërhyrje kirurgjikale pa përfshirë se çfarë shpenzohen për njëpërdorimëshet, për dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme biologjike. Së treti, përsa i përket arritjes së qëllimit të uljes së infeksioneve spitalore, janë të dhënat e ISHP që dëshmojnë se nëse në vitin 2015 norma e infeksioneve postoperatore në shërbimet e kirurgjisë së përgjithshme I dhe II në QSUT ka qënë 31 %, në 2017 në të njëjtët shërbime kjo normë ka rënë në 15 %, pra është përgjysmuar.
Së katërti, lidhur me mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, më duhet të shpjegoj se në Itali ka modele ku centrali i sterilizimit ndodhet jashtë mjediseve të një spitali publik dhe nuk ka sesi spitali të paguajë energjinë elektrike të një njësie jashtë mjediseve të veta. Në Itali, në fund të kontratës, centrali i sterilizimit nuk i kalon në pronësi spitalit, në Shqipëri do të jetë ndryshe. Nëse do të ishte përcjellë kosto e energjisë elektrike tek kompania atëhere do të kishte rritje të çmimit me të cilin do të merrej shërbimi për tri arsye: -Do të bëheshin punime civile dhe inxhinierike shtesë për të mundësuar shkëputjen e rrjetit të energjisë elektrike të një pjese të mjediseve të spitalit nga rrjeti i përgjithshëm i spitalit. Kostoja e këtyre punimeve do të rëndonte çmimin mesatar për ndërhyrje. -Pagesa e energjisë elektrike nga kompania do të rriste çmimin me të cilin kompania do të ofronte shërbimin -Në përfundim të kontratës do të duheshin shpenzime shtesë nga spitalet me qëllim që rrjeti i energjisë elektrike i centrali të sterilizimit të unifikohet me rrjetin e energjisë elektrike të spitalit. Pra siç shikohet nga vet shifrat e publikuara nga “akuzuesit, rezulton e kundërta. Sterilizmi është një histori suksesi për shërbimin kirurgjikal në Shqipëri I cili është duke stabilizuar një standart të ri në spitalet tona duke I bërë operacionet më të sigurta kostot më produktive dhe punën e kirurgëve më të lehtë.