Viti 2020 ka nisur mbarë edhe për nënë Eminenë. Prej 30 vitesh e moshuara jetonte në kushte tepër të vështira në një prej godinave të ”Qytetit Studenti”. Ndonëse kishte një strehë ku mund të kalonte netët dhe ditët e ftohta, dhoma e saj nuk plotësonte as kushtet minimale. Uzurpimi prej dhjetëra banorëve dhe ndërhyrja e kishte amortizuar edhe më tej godinën ku nënë Emineja qëndronte, ndërsa tërmeti i 26 nëntorit e bëri totalisht të pabanueshme.
Bashkia e Tiranës thotë se ajo është sistemuar tashmë në një shtëpi të re tek Banesat Sociale në Shkozë që plotëson jo vetëm të gjitha kushtet, por edhe është modeluar më së miri në mënyrë që nënë Emineja të jetojë pa u druajtur se një ditë godina e rrënuar do e zinte poshtë. Bashkia e Tiranës thekson se ka gjetur një ambient tepër të përshtatshëm për të moshuarën në mënyrë që asaj të mos i mungojë asgjë , madje edhe shërbimi shëndetësor.
”Janë disa histori që shkojnë përtej detyrës sonë të përditshme. E tillë është historia e nënë Emine që kishte 30 vjet që jetonte në konviktin e Qytetin Studenti. Ajo ka qindra histori për të treguar, por historinë e këtij viti jam e lumtur që do e nisë në shtëpinë e re tek Banesat Sociale”, thekson nënkryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti.