Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai është shprehur se këtë vendim e ka marrë për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake.
‘Jam i dorëhequr. Do të thotë prej kuvendit të fundit të punës që e mbajtëm jam i dorëhequr. Kryej vetëm funksionet në dorëheqje që i kemi deri në zgjedhje’, ka thënë Haradinaj.
Në zgjedhjet e AAK-së, Haradinaj tha se do t’i ketë 100 kundërkandidatë për të parin e partisë.
Ai shtoi se gjatë këtyre zgjedhjeve do të aplikohet parimi një delegat një votë, me çka hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së.
Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 19 korrik të këtij viti.