Partneriteti ekonomik në fushën e energjisë mes SHBA dhe Shqipërisë, si dhe siguria energjetike si një prioritet jetik për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit kanë qenë në fokus të takimit bilateral që Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar në Uashington me Sekretarin Amerikan të Energjisë, Dan Brouillette. Gjatë takimit ministrja Balluku e informoi Sekretarin Brouillette për situatën aktuale, arritjet dhe sfidat e së ardhmes, duke u ndaluar veçanërisht tek diversifikimi i burimeve energjetike dhe krijimi i pavarësisë, si një element bazë i sigurisë energjetike. Çështjet tashmë të prekura mes palëve, të cilat kanë marrë udhë përmes bashkëpunimit të ngushtë të Departamentit Amerikan te Energjisë dhe MIE, morën gjithashtu vëmendje në këtë takim, ku merrte pjesë dhe asistent sekretari Theodore J. Garrish.
Penetrimi i gazit të lëngshëm LNG në tregun shqiptar si dhe përdorimi i tij për vënien në funksion të TEC-it të Vlorës, ndërtimi i depozitave apo dhe i një terminali për LNG në të ardhmen, që do t’a bënte Shqipërinë një pikë të shkëlqyer shpërndarje për sasitë e eksportuara të LNG nga SHBA u diskutuan gjerësisht. Ndër të tjera Balluku dhe Brouillette diskutuan mbi interesin e investitorëve amerikanë në fushën e eksplorimit të naftës, si dhe mundësinë më të gjerë të investimit në këtë sektor. Ministrja Balluku e vuri në dijeni Sekretarin Brouillete për angazhimin e qeverisë Rama, për të krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja përmes procedurave transparente dhe konkurrencës së drejtë. Ajo e garantoi Sekretarin Brouillete se investitorët amerikanë do të gjejnë në Shqipëri mbështetjen e qeverisë për të bërë biznes në kushte optimale.
Iniciativa të rëndësishme në fushën energjetike, të cilat mund të shërbejnë pozitivisht në nxitjen e sektorit në vend, si P-TEC (Partnership for Transatlantic Energy Cooperation), apo OCGI (Oil and Gas Initiative) janë çështje me interes të prezantuara nga Departamenti i Energjisë, të cilat po merren seriozisht në konsideratë. Takimi u zhvilluan në Këshillin e Atlantikut dhe më pas Sekretari Amerikan i Energjisë, Dan Brouillete mbajti një fjalim para 300 të ftuarve. Gjatë fjalës ai theksoi se ndër prioritetet e tij është bashkëpunimi ndërkombëtar për të mundësuar siguri energjetike dhe burime energjetike të sigurta, të qëndrueshme dhe me çmime konkurruese në Evropë, e kryesisht në atë Lindore.
Takimi i ministres Balluku me Sekretarin Amerikan të Energjisë vjen vetëm pak ditë pasi Departamenti i Energjisë në partneritet më MIE organizoi në Tiranë një tryezë mbi hulumtimin e “Potencialit të penetrimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror në Europën Qendrore dhe Lindore”. Muajt e fundit ka pasur një numër të shtuar të takimeve dhe diskutimeve midis ministres Balluku dhe zyrtarëve të lartë amerikanë të fushës së energjisë, çka tregon qartazi për një interesim të rëndësishëm të SHBA në këtë sektor strategjik