Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër njofton se shërbimet e kësaj drejtorie po kryejnë monitorim intensiv i zonave bregdetare me dronë dhe mjete lundruese, për garantimin e sigurisë së pushuesve.

Gjatë monitorimit, punonjësit e Policisë kanë konstatuar dy shtetas që rrezikonin të mbyteshin në det, në plazhin e Velipojës.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare, me mjete lundruese Jet Ski, bëri të mundur shpëtimin e 2 shtetasve, M. P., 67 vjeç, banues në Burrel, dhe Z. N., 41 vjeç, banues në Velipojë, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det.

Shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë monitorimin intensiv të vijës bregdetare dhe janë në gatishmëri të plotë, në çdo kohë, për t’u ardhur në ndihmë pushuesve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.

Policia e Shtetit fton qytetarët që, në rast nevoje apo konstatimi të situatave që mund të cenojnë sigurinë e pushuesve, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.