Nga Endri Kajsiu/
Gjatë dy viteve të fundit, ekzistojnë tre raste unikale, në të cilat presidentët bëjnë një akt të padëgjuar në demokraci, atë të thërritjes së protestave popullore kundër shtetit qe ata vete drejtojne.
I pari, rasti më mediatik, është ai i Presidentit Nicolas Maduro në Venezuelë. Një vend në mesin e një krize të jashtëzakonshme ekonomike, me 85% të popullsisë së rënë nën nivelin e varfërisë dhe një hiperinflacion në nivelin e milionave, Venezuela zgjodhi gjatë 2019 liderin e opozitës, Huan Guaido si presidentin e ri. Problemi është se nëse Guaido njihet si president nga SHBA apo vendet e BE, mbështetja e Rusisë dhe Kinës lejon Maduron që të kontrollojë ende pushtetin me bekimin e ushtrisë. Për t’iu kundërpërgjigjur Guaidos, 2019-n në Venezuelë u karakterizua nga protesta të dhunshme në Karakas, të organizuara nga vetë Maduro kundër liderit të opozitës.
Në Bjellorusi, vendin e fundit diktatorial të Europës, dinastia e presidentit 25-vjeçar Alexandër Lukashenko u sfidua nga opozita, që sfidoi pushtetin e tij gati absolut pas parregullsive të përhapura në zgjedhje. Kundërpërgjigja, protesta të organizuara nga vetë Lukashenko, në të cilat njerëz të skeduar me lista detyrohen të tregojnë besnikërinë ndaj regjimit. Rasti i tretë në Togo, një vend i varfër afrikan, që pothuajse asnjëherë nuk fiton titujt kryesor në media. Presidenti Faure Gnassingbe, është nipi i presidentit të parë të vendit dhe djali i të dytit. Prej 50 vitesh, familja e tij qëndron në pushtet dhe kur pushteti i tij u sfidua në 2017 nga opozita, kundërpërgjigja ishte përsëri marshimet popullore për të treguar “besnikërinë” ndaj presidentit.
Vendi i katërt, në të cilin presidenti kërkon të krijojë revolta përmes protestave, për fat të keq është Shqipëria, ku ditën e djeshme, Presidenti Meta thirri një protestë në datën 2 mars, me qëllimin “fisnik” të mbrojtjes së kushtetutës. Do të ishte vërtet e bukur sikur Presidenti të ishte një lloj Martin Luter Kingu modern, që shtyhet nga qëllime të tilla kaq sublime për të ngritur në këmbë popullin. Por, e vërteta nuk mund të ishte më e largët.
Një vit më parë, Shqipëria mori rekomandimin pa kushte nga KE për të hapur negociatat e integrimit. Përgjigja e Metës dhe opozitës, protesta të dhunshme 6-mujore në të gjithë vendin, për të treguar se Shqipëria është një vend “barbar” që nuk meriton Europën. Një strategji e zgjuar, për të përligjur një qëllim të mbrapshtë, në një kohë kur në Europë janë të shumtë partitë euroskeptike të gatshme për të na vënë një shkop ndër rrota.
Por, çfarë ka ndodhur në fillim të 2020 që justifikon protestat e reja? Në thelb, asgjë me rëndësi. Prej muajsh, jeta politike në vend është futur, të paktën në dukje, në hullinë e një normaliteti të munguar prej shumë muajsh. Ama, Konferenca e Donatorëve, shënoi një rrezik vdekjeprures për Metën. Deri dje, ishte e qartë që çfarë do që të bënte Shqipëria, rruga jonë Europiane do të qëndronte në vendnumëro, përballë problemeve të brendshme që justifikonin një veto të përsëritur të Francës.
Kjo, deri në 17 shkurt, kur Presidenti Macron, përveç të qënit donatori më bujar ndaj Shqipërisë, ndërroi kurs dhe u shpreh pro hapjes së negociatave. Në një situatë të tillë, Meta, si një politikan me shumë përvojë është në gjendje të identifikojë tre rreziqe të reja. E para. Me 1.15 miliardë euro, Rama do të jetë në gjendje të udhëheqë i qetë procesin e rindërtimit, proces nga i cili varet në një masë të madhe mandati i tij i tretë. E dyta. Shqipëria tani me shumë gjasa do të arrijë të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave në muajin mars, në Samitin e Zagrebit. E treta. OFL, KÇK, SPAK. Tre akronime të çuditshme për veshin, por që janë mishërimi i ofensivës më spektakolare në reformën për drejtësi. Një reformë që për disa vite ishte një skicë-ide, por që tani është shndërruar në një korpus vivendi që kërcënon pushtetin e Presidentit.
E në këto kushte, zgjidhja është vetëm një. Të rikthehemi tek protestat, mundësisht tek dhuna, ne prag te Samitit te Zagrebit, që t’i tregojmë Macronit dhe të tjerëve që Shqipëria nuk është një vend europian, madje as një vend dosido diku në botë, por në të njëjtën ligë aspak joshëse me Venezuelë, Togo e Bjellorusinë.
Dhe kjo eshte e perseritur, ndodhi edhe vjet, ne te njejten kohe, kur protestat zgjaten mjaftushem qe imazhet e dhunes pa sens te protestave te zinin vend ne te gjitha mediat nderkombetare. Po pse ky qendrim antikombetar, pse kaq antishqiptar ne thelb Meta edhe pse po fshihet ne sllogan pas patriotizmit, ne veprime po ben te kunderten?
A po perdoret ai nga segmente nderkombetare antishqiptare qe nuk e duan Shqiperine dhe kontrollojne, perpunojne e aktivizojne presidentin sa here qe shohin ka progres ne proceset integruese? Për fat të keq, përgjigja duket e qartë…