Ai me të vërtetë nuk dëshiron ta braktisë futbollin e luajtur, “t’i varë dorezat në gozhë”. Qëllimi i 42-vjeçarit bardhezi është të vazhdojë të thyejë e të vendosë rekorde të reja. Ata që mendojnë se karriera e Gianluigi Buffon do të përfundojë në fund të këtij sezoni gabohen, madje shumë më tepër. Portieri i dytë i Juventusit ka treguar se ende mund ta bëjë punën e tij (dhe shumë mirë).

Në “San Siro”, kundër Milanit, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, “plakushi” tregoi një formë spektakolare prej numri një, duke heshtur kritikët, që e kryqëzojnë për shkak të 42 viteve mbi supe, nga 28 janari e këtej.Në javët e ardhshme mund të ketë zhvillime interesante, me qëllim rinovimin e kontratës së legjendës së portës italiane, e cila skadon më 30 qershor. Siç shkruan “Tuttosport”, një takim midis vetë Buffon dhe presidentit Andrea Agnelli do të organizohet në mars, për të diskutuar mundësinë e vazhdimit së bashku edhe për të paktën një vit tjetër. Një zgjatje e marrëveshjes do t’i lejonte Buffon të kishte një shans shtesë për të fituar Ligën e Kampionëve, trofeu i vetëm që ende mungon në “palmaresin” e tij të jashtëzakonshëm.

Natyrisht, e kishte më të lehtë për të thyer rekordin e ndeshjeve në Serie A. Vetëm një ndeshje e ndan atë nga legjenda, pasi ka barazuar 647 paraqitjet e Paolo Maldinit në dhjetor, me rastin e transfertës në Genoa, kundër Sampdoria. Çfarëdo që të ndodhë, Buffon është dhe do të jetë një vlerë e shtuar për Juventusin, si për aftësitë teknike, edhe për vlerat njerëzore. Ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes është i jashtëzakonshëm, ndaj është e mirëpëritur jetëgjatësia e një kampioni bote, të këtij kalibri, te Juventusi.