Kryeministri Edi Rama deklaroi se pas tërmetit objektivi është të rindërtojmë gjithçka, por jo të shkurtojmë projekte të rëndësishme. Në Këshillin e Atlantikut në Uashington Rama u pyet mbi situatën ekonomike pas tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor.
“Sa i takon ekonomisë, ne morëm një goditje mjaft të fortë, mjaft të rëndë. Vlerësimi i pas Katastrofës është përtej 1 miliardë euro që për ekonominë tonë është shumë. Megjithatë objektivi ynë është të rindërtojmë gjithçka, por jo të shkurtojmë projekte të rëndësishme duke nisur nga shërbimet, por gjithashtu në raport me buxhetin e mbrojtjes, na duhet që të vazhdojmë”, tha Rama.
“Nuk duhet të rrisim borxhin. Do të ngadalësojmë paksa ritmin e uljes së borxhit. Do shtrijmë paska deficitin ndërkohë që jemi në pritje të Konferencës së Donatorëve në 17 shkurt. E dimë që do të jetë shumë larg të tërë sasisë së parave që na duhet. Megjithatë kemi disa gjëra të mira në mend siç thotë presidenti Trump, por nuk kam ndërmend t’jua them sot”, u shpreh Kryeministri Rama.