Manchester City u pezullua me dy vite nga garat europiane dhe një gjobë prej 30 milionë eurosh nga UEFA. Kjo, për shkak se ka shkelur rregullat e “fair play financiar” ndërmjet viteve 2012 dhe 2016. Në këtë periudhë, klubi anglez shpenzoi më shumë se 700 milionë euro për blerje lojtarësh të rinj, një vlerë pothuajse katër herë më e madhe se ajo e rimbursuar nga shitja e lojtarëve në të njëjtën kohë. Ajo që mund të vërehet gjatë viteve të hetuara nga UEFA është se investimet në përforcime u frynë gradualisht, derisa e tejkaluan shumën e 200 milionë eurove (shpenzime) më 2015 dhe 2016.
2012, vit diskret Në vitin 2012, ajo që u pa ishte akoma lëvizje modeste e një klubi që, katër vjet më parë ishte blerë nga sheiku Mansour bin Zayed Al Nahyan. Projekti i ri kaloi nëpërmjet një periudhe modernizimi dhe ristrukturimi sportiv. Për sezonin 2012-2013, Manchester City shpenzoi vetëm 61.95 milionë euro për pesë lojtarë, me Javi García blerjen më të shtrenjtë, që e mori për 20.20 milionë euro nga Benfica. Shitjet e lojtarëve në vitin 2012 përfaqësuan një vlerë të ngjashme prej 44.3 milionë euro, me largimin e Balotelli te Milani për 20 milionë, si transferimi më i spikatur në dalje.
2013, arrijnë Negredo dhe Navas- Në vitin 2013, klubi, gjithashtu, nënshkroi vetëm me pesë lojtarë, por vlera e shpenzuar ishte pothuajse dyfish: 116 milionë euro. Ishte viti kur Negredo dhe Jesús Navas arritën te “qytetarët”, të dy nga Seville, për 25 dhe 20 milionë euro, përkatësisht. Fernandinho, nga Shakhtar, ishte nënshkrimi më i shtrenjtë: 40 milionë euro. Aty fillon të vihet re ndryshimi në shitje. Më 2013, Manchester City rimbursoi vetëm 11.3 milionë euro nga shitjet e Tévez dhe Sinclair. 2014, më shumë se 100 milionë për herë të parë- Në vitin 2014, numrat ishin të ngjashëm: 102.8 milionë euro përforcime, me nënshkrimin e Mangala nga Porto për 45 milionë si më të spikaturin. Në merkato, klubi arkëtoi 30.53 milionë euro, falë shitjeve të tre lojtarëve. 2015, shpenzime deri në 208 milionë. Mbërrijnë De Bruyne dhe Sterling Viti në të cilin Manchester City fillon të bëjë zhurmë në treg është ai 2015, kur shpenzoi 208.2 milionë euro për të marrë nëntë lojtarë si Kevin De Bruyne (76 milionë euro), Raheem Sterling (63.7) apo Otamendi (44.5). Në të njëjtin vit rimbursoi 67.44 milionë euro nga shitja e dhjetë lojtarëve.
2016, thellimi i deficitit- Por, viti kur pabarazia midis shpenzimeve në përforcime dhe të ardhurave nga shitjet e lojtarëve u pa me të vërtetë, ishte 2016-ta. Ishte sezoni i parë nën drejtimin e Pep Guardiolës (2016-2017), i fundit nga vitet e cituara në hetimin e UEFA-s. Atë vit, “qytetarët” shpenzuan 213.6 milionë euro për blerjet e John Stones (55.6 milionë euro), Leroy Sané (50.5), Gabriel Jesus (32), Gündogan (27) dhe gjashtë lojtarëve të tjerë. Një vit, në të cilin rimbursuan vetëm 35.35 milionë euro nga shitja e pesë lojtarëve. 2017, jashtë hetimit, por rekord historik- Viti tjetër, 2017, që nuk është pjesë e hetimit të UEFA-s, regjistroi vlerën rekord të historisë së Manchester City për nënshkrime të reja: 317.5 milionë euro. Ndër të tjera erdhën: Laporte (65 milionë euro), Mendy (57.5), Kyle Walker (52.7), Bernardo Silva (50) dhe Ederson (40).