Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë një telegram urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson. Në urimin e tij Johnson shpreh urimet për zgjedhjen e Kurtit si kryeministër dhe se qeveria e tij është e përkushtuar për të mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbin, shkruan Telegrafi.

Telegrami i plotë i Johnson: ”I nderuar Kryeministër, Dëshiroj t’ua shpreh urimet e mia më të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është fuqishëm e përkushtuar për ta mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

Mezi presim të punojmë së bashku si partnerë në mënyrë që Kosova dhe rajoni më i gjerë të jenë të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Për këtë qëllim, ne mbështesim fuqishëm agjendën tuaj të brendshme për të luftuar korrupsionin, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.”