Italia e tronditur nga alarmi i “Coronavirus”, që po prek edhe botën e futbollit, ka shtyrë zhvillimin e katër ndeshjeve të javës së fundit të Serie A. Tashmë po bëhen vlerësime të reja në funksion të javës së radhës së këtij kampionati, sidomos për supersfidën midis Juventusit dhe Interit. Fillimisht u fol se do të luhej me dyer të mbyllura, por, sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, një skenar tjetër ka dalë në pah orët e kaluara.
Po shtohen zërat e zhvillimit të ndeshjes në fjalë në një kontekst normal, pra me dyer të hapura të stadiumit, me praninë e tifozëve. Rajoni i Piemonte po bën presion që kjo të ndodhë, me guvernatorin Alberto Cirio në vijën e parë. Sipas tij, ekzistojnë kushtet për t’i kërkuar qeverisë një kthim gradual në normalitet, duke marrë parasysh që masa e pezullimit (nënshkruar nga ministri i shëndetësisë) të eventeve të hapura për publikun skadon më 29 shkurt, një ditë para Juventus-Inter.
Masë që mund të azhornohet me dekretin e Kryeministrit Conte, në përputhje me atë në fuqi në rajone të tjera, ku pezullimi i grumbullimeve publike është i vlefshëm deri më 1 mars. Për dallim nga Serie B, Serie A nuk e ka zyrtarizuar ende listën e ndeshjeve që do të luhen pas dyerve të mbyllura. Ky aspekt sugjeron se diçka e re mund të jetë duke “vluar”. Sidoqoftë, është shumë e pamundur që Juventus-Inter të shtyhet për të hënën, që të luhet me dyer të hapura. Ndeshjet e Kupës së Italisë, të planifikuara për të mërkurën dhe të enjten e javës së ardhshme, janë shumë afër.