Gjermania po kryeson përpjekjet europiane për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi. Takimin e konfirmuar në Berlin në muajin mars me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, e pasoi të shtunën, e 8 shkurtit, një ftesë edhe për qeverinë e Prishtinës. Ftesën e konfirmoi vetë kancelarja gjermane, Angela Merkël, në mesazhin e urimit dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për detyrën e re.

“Ju dhe qeverinë tuaj e presin detyra të vështira. Këtu përfshihen ngritja dhe forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimi i situatës ekonomike, dhe veçanërisht, dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë. Qeveria gjermane do të vazhdojë edhe më tej t’ju mbështesë në këtë rrugë. Dhe do të ishte kënaqësi t’ju shihja së shpejti në Berlin.” Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, kryeqeveritari Kurti tha në fundjavë se ai do të angazhohet për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, por kjo do të kërkojë simetri apo reciprocitet në aspektin politik, ekonomik e tregtar.

Siç ishte paralajmëruar, bisedimet për këto tema nuk do i udhëheqë më presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Për mundësinë e sheshimit të shpejtë të ndasive dypalëshe, Kurti mendon se qeveria e re në Kosovë dhe zgjedhjet për një kabinet të ri edhe në Serbi do e vështirësojnë perspektivën e marrëveshjeje Prishtinë-Beograd brenda këtij viti.