Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se së shpejti do të nisë procesi i rindërtimit në Laç, Thumanë dhe Shijak.

Në mbledhjen e radhës së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Kryeministri Rama theksoi se “kemi zonat e përcaktuara të zhvillimit një pjesë të konsiderueshme të planeve dhe ndër to kemi planet e avancuara të Laçit, Thumanës, Shijakut që janë tre zonat ku rindërtimi do të nisë më shpejt se në zonat e tjera, pra së shpejti”.

“Sot kemi mbledhjen e radhës së komitetit Kombëtare të Rindërtimit për të parë dhe vlerësuar ecurinë e procesit në të gjitha aspektet. Ajo që dua të nënvizoj dhe pastaj do ta shihni më të detajuar është së pari kemi raportin përfundimtar të vlerësimit bërë me ekspertë të Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara që na jep edhe bazën për të zhvilluar Konferencën e Donatorëve në Bruksel, por edhe për të pasur për më tutje një pasqyrë të qartë të të gjitha aspekteve që duhet të kemi parasysh gjatë procesit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kemi modelet e konfirmuara të banesave individuale sipas tipologjive që do të thotë që jemi gati në ditët e ardhshme të dalim në procedurën e garës së hapur ndërkombëtare për të ftuar kompanitë që ofrojnë suportin për shtëpitë individuale dhe kemi po ashtu edhe të gjithë të dhënat lidhur me institucionet e shërbimit arsimor dhe shëndetësor si dhe hyrjen në fazën e projektimit për të bërë të mundur që në një kohë shumë të shpejtë të fillojmë edhe më ato procedurën e garave në mënyrë që të fillojmë me rindërtimin”.