Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, sqaron se prioriteti më i ngutshëm i qeverisë së tij nuk është dialogu me Serbinë. Në Beograd, presidenti Aleksandër Vuçiç komenton deklaratat e Prishtinës për reciprocitet, duke thënë se procesi nuk ka për të qenë aq i thjeshë. Pavarësisht presionit ndërkombëtar për t’i ulur bashkë në tryezë, Kosova dhe Serbia deklarohen se nuk do të nguten për dialogun dypalësh.
Ndërsa përsërit nevojën për raporte të mira fqinjësore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se ai i ka të qarta përparësitë e momentit. Kurti: Në një farë mënyre bisedimet nuk janë ndalur asnjëherë për shkak se nëpër tryeza e konferenca të ndryshme ndërkombëtare janë takuar qeveritarët, liderët e Kosovës me ata të Serbisë, kjo do të vazhdojë edhe më tutje. Unë mendoj që tash kur ne ende nuk kemi arritur ta bëjmë fuzionimin e ministrive tona nga 21 në 15 sepse do ca kohë kjo, ndërkaq që në anën tjetër ka filluar që të vlojë fushata për zgjedhjet në Serbi, nuk mendoj që mund të pritet ndonjë dialog substancial i menjëhershëm dhe rezultate të shpejta.
Unë nuk jam që të vonohemi por nuk jam as që të ngutemi. Mbledhjen e radhës e kemi projektligjin për buxhetin e vitit 2020, programin qeverisës, e kemi planin e punës së qeverisë, e kemi shqyrtimin e një mori të vendimeve pas dorëheqjes së ish kryeministrit në korrik të vitit të shkuar. Natyrisht që kjo është ndër prioritetet tona mirëpo, ne ende nuk jemi vendosur në qeveri tamam dhe do të na nevojitet ca kohë, do të përpiqemi më shpejt mirëpo jo gjithçka varet tash prej nesh. Deklarata vjen në kohën kur janë shtuar zërat brenda qeverisë për të eliminuar barrierën e lartë doganore për produktet serbe dhe për ta zëvendësuar masën me reciprocitet të gjithanshëm.
Nga Beogradi, presidenti Aleksandër Vuçiç u përgjigj se reciprociteti nënkupton që Serbia e njeh Kosovën si shtet, fakt ky që nuk ka për t’u pranuar lehtë. “Gjërat nuk janë aq të thjeshta sikur je në opozitë dhe flet pa përgjegjësi. Është mirë që Kurti po e konsideron heqjen e tarifës dhe do ishte më mirë ta bisedonim në të ardhmen,” u shpreh Vuçiç. Presidenti serb ka paralajmëruar muajin e ardhshëm një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Vuçiç thotë se Berlini do të mbajë rolin kryesor në BE për dialogun Kosovë-Serbi, nëpërmjet emisarit të posaçëm që përflitet se do të jetë kryediplomati sllovak, Miroslav Lajçak. Sllovakia është një nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por për kryeministrin Kurti në Prishtinë, përfaqësimi i shtetit të tij do jetë i njëjti.