Kylian Mbappe i ka bërë thirrje, siç e ka quajtur, vëllait të vet Ousmane Dembele, të jetë i fortë dhe i ka ofruar mbështetje në betejën e tij me lëndimin afatgjatë, të cilin e pësoi të hënën në stërvitje. Barcelona e mori goditje tjetër të rëndë, pasi testet mjekësore kanë konfirmuar se Ousmane Dembele ka pësuar lëndim serioz dhe si pasojë do ta humbë pjesën e mbetur të sezonit.

Anësori francez mungonte që prej nëntorit për shkak të tërheqjes muskulore, por testet shtesë të martën në mëngjes kanë treguar se lëndimi i tij është shumë më i rëndë seç ishte menduar dhe Dembele nuk do të jetë në gjendje të luajë më në sezonin 2019/20.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Mbappe i shkroi mesazh motivues bashkëlojtarit të vet në Kombëtaren e Francës, të cilin e shpërndau në rrjetet sociale. “Vëllai im, e di kjo është e tepërt për ju dhe po ashtu e padurueshme, por duhet të jesh i fortë, pavarësisht të gjithave”, shkroi Mbappe. “Natyrisht, është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, ama unë gjithmonë do të jem pranë teje për të të përkrahur dhe e di se do të rikthehesh dhe do të na mahnitesh”, shtoi ai.