Ky nuk është fundi, por është fillimi i një epoke të re! Kështu u shpreh kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, teksa vendi shënoi daljen zyrtare nga Bashkimi Evropian. Britania ka nisur kështu një kapitull të ri jashtë Bashkimit Evropian pasi Brexit më në fund ndodhi 47 vite pas anëtarësimit në union.

Kur ora shënoi 23:00 mbrëmjen e djeshme Mbretëria e Bashkuar u divorcua zyrtarisht nga blloku pas tre vjet beteje politike që paralizoi Westminster. Britanikët që ishin pro Brexit pritën lajmin me festime në të gjithë vendin, përfshirë një paradë flamurësh në Sheshin Parlamentar të Londrës, të kryesuar nga Nigel Farage.

Kryeministri përshëndeti momentin e shpresës, një moment që “shumë njerëz menduan se nuk do të vinte kurrë” dhe tha se Brexit do “lëshonte potencialin e Mbretërisë së Bashkuar” – por paralajmëroi se do të ketë edhe shumë “gunga në rrugë”. Shumë njerëz janë ende thellësisht të shqetësuar për ndërprerjen e lidhjeve me BE-në dhe po paralajmërojnë se saga Brexit nuk është përfunduar ende. Britania tani ka hyrë në një periudhë 11-mujore tranzicioni me BE-në, gjatë së cilës qeveria do të garojë për të arritur një marrëveshje tregtare para dhjetorit.

/Daily Mail