Për shkak se presidenti Xi Jinping ka përqendruar më shumë pushtet në duart e tij sesa çdo lider kinez që nga koha e Mao Zedong, shumë njerëz bë Kinë dhe kudo në botë kanë arritur në përfundimin se ai është politikisht i pa sulmueshëm. Por epidemia e koronavirusit ka ndodhur në çastin më të keq të mundshëm, duke nxjerrë hapur pikat e dobëta të sundimit të presidentit Jinping.
Nga Yuen Yuen Ang
Në Kinën bashkëkohore, një transformim i thellë politik mundet dhe ka ndodhur në mungesë të një ndryshimi të regjimit ose demokratizimi të stilit perëndimor. Shembulli më i çuditshëm është periudha e “reformës dhe hapjes” që filloi në vitin 1978. Edhe pse Deng refuzoi zgjedhjet shumëpartiake, ai e ndryshoi thelbësisht drejtimin e Partisë Komuniste të Kinës (CPC), si dhe shpërndarjen e pushtetit brenda saj.
Epidemia e koronavirusit që nisi në Wuhan në dhjetor 2019 mund të ndihmojë një pikë kthese historike të ngjashme. Përhapja e atij që tani quhet COVID-19 është shumë më tepër sesa një çast kalimtar stresues për Partinë Komuniste të Kinës. Bota duhet të jetë e përgatitur për atë që mund të vijë më pas.
Normalisht, një epidemi e vetme, edhe nëse keqpërdoret, nuk do të prishë regjimin kinez. Gjatë katër dekadave të fundit, Partia Komuniste Kineze ka kapërcyer kriza të shumta, nga tragjedia Tiananmen e vitit 1989 dhe nga epidemia e SARS-it në vitet 2002-2003 deri në krizën financiare globale të vitit 2008. Disa nga kritikët e regjimit kanë parashikuar prej kohësh shkatërrimin e saj të afërt, por ka rezultuar se janë gabuar. Para presidentit Xi Jinping, stili kinez i qeverisjes ishte adaptues dhe i decentralizuar, ose siç e quaj unë “improvizim i drejtuar”. Për më tepër, shoqëria civile, përfshirë gazetaria që fut hundët ngado, u zgjerua me shpejtësi.
Këtë herë është ndryshe. Që kur erdhi në pushtet në vitin 2012, Xi ka forcuar kontrollin politik në vend dhe ka projektuar ambiciet prej superfuqie jashtë vendit. Këto politika kanë demoralizuar investitorët privatë, kanë alarmuar fuqitë perëndimore dhe kanë shtuar tensionet me Shtetet e Bashkuara. Të gjitha këto kanë kontribuar në një ngadalësim më të gjerë ekonomik.
Përhapja e COVID-19 i ka shtuar një burim shtesë stresi dhe paparashikueshmërie sfidave në rritje të regjimit. Ndërsa epidemia vazhdon, Kina do të luftojë që të rihapet për biznesin, duke sjellë madje edhe ndryshime të ashpra ekonomike, ndërsa ndërmarrje të vogla dhe të mesme dështojnë, punëtorët humbasin vendet e punës dhe inflacioni rritet. Ndërsa lidershipi kinez është shumë i aftë t’i zgjidhë krizat një e nga një, atij i është dashur rrallëherë të përballet njëherësh me kaq shumë kriza gati-ekzistenciale.
Në një koment të kohëve të fundit, Kevin Rudd, një ish-kryeministër australian që tani është president i Asia Society, u shpreh se “kriza, pasi të zgjidhet, nuk do të ndryshojë mënyrën sesi Kina qeveriste në të ardhme.” Por kjo prognozë është shumë optimiste. Në të vërtetë, tashmë po shfaqen krisje në lidershipin suprem të Xi-së.
Për shembull, në kulmin e zemërimit të publikut për fshehjen fillestare nga ana e qeverisë të faktit se kishte shpërthyer një virus, Xi nuk u shfaq më në publik. Pas takimit të tij me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më 28 janar, ai nuk u shfaq më deri në takimin e tij shtetëror me kryeministrin kamboxhian Hun Sen më 5 shkurt. Për një lider që normalisht dominon ciklin e lajmeve në Kinë çdo ditë, mungesa e Xi-së në mes të një paniku kombëtar ishte e dukshme dhe kjo i bëri disa vëzhgues kinezë të spekulojnë se kontrolli i tij i pushtetit mund të jetë në rrezik.
Nëse kjo duket e paimagjinueshme, ia vlen të kujtoni se vitet e kaluara kanë prodhuar ngjarje që shumë pak i parashikuan. Kush parashikoi, për shembull, që një manjat pasurish të patundshme do të përballej me një president kinez në një rivalitet superfuqish apo që Kina mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si një kampione për globalizimin kapitalist? Momenti aktual i pasigurisë mund të hapë rrugën për ndryshime më të thella politike.
Ka tre mundësi. Skenari më ekstrem dhe më i keq i mundshëm është kolapsi i regjimit. Kritikët e ashpër të Kinës që e lexojnë këtë fjali nuk duhet të gëzohen, sepse shpërbërja e papritur e një regjimi autoritar jo domosdoshmërish çon në demokratizim; në shumë raste, ajo çon në luftë civile, siç e pamë në Irak pasi Shtetet e Bashkuara larguan me forcë Saddam Huseinin dhe siç shohim sot në Libinë e post-Gadafit. Një luftë e dhunshme për pushtet brenda Kinës do të ishte katastrofike për të gjithë botën.
Për fat të mirë, ky skenar nuk ka gjasa të ndodhë. Edhe pse Kina është nën një stres shumë të madh, ekonomia e saj nuk ka rënë në ngërç. Siç theksoi Shang-Jin Wei nga Universiteti i Kolumbias, industria e zhvilluar e tregtisë elektronike e Kinës i lejon banorët të vazhdojnë të bëjnë blerje nga shtëpia. Dhe ndërsa dhjetëra mijëra kinezë janë të infektuar me virus dhe shumë të tjerë janë të zemëruar me qeverinë, shumica e popullsisë nuk është e dëshpëruar.
Skenari i dytë është një ndryshim në lidership në nivelin më të lartë. Xi nuk mund të shmangë fajin për reagimet kundër politikave të tij të brendshme kufizuese dhe veprimeve pohuese jashtë vendit, të cilat tashmë kishin filluar të ulnin mbështetjen për të edhe para shpërthimit të epidemisë COVID-19. Me vdekjen e Li Wenliang, një mjek i cili u kritikua nga autoritetet shtetërore se paralajmëroi të tjerët për virusin, dështimet e qasjes lart-poshtë të Xi-së kanë dalë në pah. Lajmi për vdekjen e Li Wenliang shkaktoi një stuhi kritikash online ndaj qeverisë dhe dështimi i Xi-së për të dalë në vijën e parë të luftës e ka zvogëluar akoma më tej besueshmërinë e tij si një lider populist.
Në parim, heqja e kufijve të afatit kushtetues e lejon atë të qëndrojë gjithë jetën president. Por nëse ai do të vazhdojë të mbetet në detyrë edhe pasi të mbarojë mandati i tij aktual në vitin 2022, kjo tashmë është një pyetje e hapur.
Për shkak të përqendrimit të pushtetit në sistemin kinez, lideri kryesor ka një ndikim të madh në të gjitha sferat e shoqërisë, si dhe në politikën e jashtme. Nëse në vitin 2022 do të vinte në pushtet një lider i ri – ose edhe më parë – rezultati më i mundshëm do të ishte një ndryshim i të gjitha përparësive të politikës Xi-së, duke e detyruar pjesën tjetër të botës të ndryshojë mendimin e saj për Kinën dhe rolin e saj global.
Në skenarin e tretë, Xi kapet pas postit të tij, por largohet që aty dhe pushteti zhvendoset në fraksione të ndryshme konkurruese. Një rregullim i tillë nuk do të ishte pa precedent.
Tashmë është e qartë se politika dhe qeverisja kineze nuk do të jenë më njësoj pas shpërthimit të COVID-19. Miti që Xi dhe përkrahësit e tij kanë mbështetur për virtytet e kontrollit të centralizuar është shkatërruar. Fjalët e fundit të Li-së, “Një shoqëri e shëndetshme nuk duhet të ketë vetëm një zë” do të mbeten në mendjet e qindra miliona kinezëve, të cilët e kanë parë edhe vetë me sytë e tyre se censura mund t’u vërë në rrezik jetët.
Project Syndicate