Ideja e parë për të hapur Galerinë Kombëtare të Artit në Shqipërinë e pasluftës duket se është hedhur që në janar të vitit 1947. Fakti zbulohet në një qarkore e shpërndarë nga kryeministria me 4 janar 1947 për gjithë ministritë, Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin e planit, Komisionin e Kontrollit të Shtetit, Qendrën e Kryqit të Kuq Shqiptar, komitetet ekzekutive të Prefekturave e shumë instanca të tjera.
“Komiteti i Kulturës dhe Arteve, ka në projekt ngritjen e një pinakoteke, për të mbledh dhe grumbullue n’atë të gjithë veprat artistike (pikturë skulpturë me vlerë artistike dhe të reja”, – shkruhet në këtë qarkore, duke vijuar më tej: “Në vendin tonë deri më sot nuk asht ba nji seleksionim i mirë i veprave artistike dhe pikërisht për këtë arsye duhet që sot e tutje të tregohet nji interesim i veçantë për mbledhjen e këtyre veprave. Prandaj ju rekomandojmë që t’interesoheni për gjetjen dhe mbledhjen e këtij materiali të çmueshëm që mudn të ndodhet në depot tuaja , ku mund t ëjetë lanë në harresë”.
Pas kësaj qarkoreje, me 8 janar 1947 shpërndahet po nga kryeminsitria një tjetër shkresë ku zbulohen më shumë detaje sidomos për origjinën e këtyre veprave të artit.
“Ente të ndryshme kanë marrë shpesh gjana me vlerë arkeologjike (vazo, mjete pune, armë, para kuadro, buste, etj) nga pasuritë e konfiskuara të kriminelëve të luftës dhe tradhëtarëve të Popullit. Gjithashtu nga punime të ndryshme që janë kryer janë gjetur sende arkeologjike, si p.sh. në Durrës, Tepelenë, Vlorë etj., janë zbuluar gjana arkeologjike me randësi” shkruhet në qarkoren e dytë duke vijuar të bëjë thirrje që cilido institucion që ka “me zbulue të tilla gjana nga punime të ndryshme të lajmëroj direkt Komitetin e Kulturës dhe t’Arteve, që t’i marri në dorëzim.”
Dokumentet dëshmojnë se ky aksion për mbledhjen e veprave të artit ka vijuar përgjatë gjithë vitit 1947 por edhe në vitet në vijim deri sa u inagurua Galeria Kombëtare e Arteve në janar 1954. (Tesheshi)