Mero Baze

 

Hashim Thaçi , kundërshtari politik I Albin Kurtit dhe President I vendit, është para dy akuzave hipotetike nga Albin Kurti.

Njëra akuzë është se nën ndikimin e SHBA, Hashim Thaçi ka nisur vitin e kaluar, bisedimet me Serbinë, dhe axhenda e bisedimeve ka lënë të hapur dhe shkëmbime territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.

Akuza e dytë kjo e sotmja është që Hashim Thaçi paska nënshkruar marrëveshje sekrete me NATO, duke I dhënë garanci si kryeministër I Kosovës shefit të NATO, pa I kaluar ato në parlament.

Të dyja akuza, në fakt kanë në thelb raportet individuale të Hashim Thaçit me politikën amerikane.

Kryeministri I Kosovës Albin Kurti ka “zbuluar” një letërkëmbim të ish Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe Opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash dhe ka kërkuar që kjo tu bëhet e njohur deputetëve të Kuvendit, duke sugjeruar se kjo ka qenë në shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Deklaratat e Kurtit janë bërë ndërkohë që ai ka shprehur vullnetin politik për të shkarkuar nga detyra Presidentin Hashim Thaçi, disa orë para se ai të pritej në Uashington nga Sekretari I Shtetit Pompeu.

Zbulimi I kryeministrit Kurti, për “marrëveshjen sekrete” mes Thaçit dhe NATO, për sigurinë në Kosovë, kanë pasuar dy javë plot tension, mes tij dhe të dërguarit special të Presdentit Trump , Ambasadorit Grenell, që tani është dhe njeriu më I rëndësishëm I SHBA për kordinimin e shërbimeve të sigurisë dhe atyre intelegjente.

Albin Kurti është para kërkesës së qartë për heqjen e taksës, që ti hap rrugë bisedimeve me Serbinë, një premtim elektoral I Kurtit, ndërkohë që ai po përdor si pretendim, një tezë të paqartë, që lidhet më atë që ai e quan reciprocitet me Serbinë.

E gjithë kjo panoramë nervoze e raporteve mes tij dhe SHBA dhe mbi të gjitha përpjekja për “ti treguar vendin” SHBA, NATO, apo KFOR në Kosovë, gjoja në emër të sovranitetit, janë një ilustrim I paqartësisë së tij se çfarë duhet të bëj me populizmin që përdori si trampolinë drejt pushtetit.

Marrëveshjet e Thaçit me NATO që kanë pasur qëllim sigurinë e territorit të Kosovës para se Forcat e Sigurisë së Kosovës të ktheheshin në ushtri, janë bërë në pozitat e kryeministrit të Kosovës dhe sot nuk kanë ndonjë rëndësi, pasi situata ka evoluar. Por pa NATO, as Ushtria e re e Kosovës nuk e siguron dot Kosovën, ndaj së paku NATO nuk duhet fyer në këtë histori.

Po ashtu tema e dialogut Serbi Kosovë është vendimtare për të ardhmen evropiane të  Kosovës dhe rolin e SHBA aty. Shmangia e kësaj teme, është shmangie e përgjegjësive për të udhëhequr Kosovën.

Hashim Thaçi natyrisht ka bërë gabim që e ka personalizuar këtë betejë dhe duhet të bënte pjesë të saj gjithë spektrin politik të Kosovës, por qëndrimet populiste të kundërshtarëve të tij, e kanë pamundësuar këtë gjë.

Tani Hashim Thaçi nuk mund të akuzohet, edhe si I shitur tek serbët me ndërmjetësinë e amerikanëve, edhe si I shitur tek NATO, që donte të mbronte Kosovën nga serbët përmes amerikanëve. Albini mund të zgjedh një nga të dy akuzat, edhe pse në mendjen e tij ai është duke akuzuar Hashim Thaçin si shërbëtor të amerikanëve, çka është dhe e vërtet.

Vetëm se Albini në këtë histori,  një herë amerikanët I bën aleat me serbët, një herë aleat me Kosovën. Tani ta ndaj mendjen me kë do bëhet vet, se SHBA dhe NATO janë me Kosovën dhe emrat e kryeministrave I harrojnë shpejt.