Dita e enjte ishte një ditë e karakterizuar nga debate të forta në Këshillimin e Sigurimit të OKB, ku Kryeministri Rama ishte i pranishëm në cilësinë e presidentit të OSBE.

Pas një përmbledhje të Kryeministri Rama, mbi objektivat dhe sfidat e OSBE gjatë mandatit 1-vjeçar të Shqipërisë, debati u ndez nga shkëmbimet midis ambasadorëve të superfuqive botërore.

Ambasadori rus në Këshill, nisi bisedën duke akuzuar Ukrainën për mosrespektimin e pakicave ruse dhe nxitjen e konfliktit në Ukrainën Lindore, si dhe duke afirmuar sovranitetin e plotë të Rusisë mbi Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Një deklaratë e tillë u kundërshtua fuqimisht nga ambasadori amerikan në sallë, i cili bëri Rusinë përgjegjëse për nxitjen e krizave anembanë Europës Lindore, me qëllim mbajtjen e këtyre vendeve larg Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Në lidhje me OSBE, ambasadori amerikan u shpreh se SHBA-të shohin tek Shqipëria dhe presidenca e KM Ramës një aleat kyç në zgjidhjen e konflikteve globale dhe ruajtjen e paqes në botë.

Lexo reagimin e plotë të ambasadorit amerikan https://lexo.com.al/2020/02/07/shba-kryeministri-rama-aleat-kyc-ne-zgjidhjen-e-sfidave-globale/

Franca, një shtet që ashtu si SHBA dhe Rusia kanë të drejtë vetoje në Këshill, përfaqësohej nga ambasadori i saj fuqiplotë, Nicolas de Riviere. Në fjalën e tij, ai theksoi: “Falenderoj përzemërsisht zotin Rama për fjalën e tij. Shqipëria ka mbështetjen e plotë e Francës për zbatimin e programit ambicioz të punës që ka prezantuar si Kryesi e OSBE-së. Janë tre tema që kanë vëmendjen tonë të veçantë. Vetëm 6 vjet pas fillimit të përplasjes, zgjidhja e konfliktit në Ukrainën lindore duhet të jetë prioriteti ynë kryesor”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe, një tjetër vend me të drejtë vetoje, zonja Karen Pierce. “Kryeministër, është me rëndësi të ndahet përgjegjësia në mënyrë që OSBE të mund të ndryshojë gjendjen në terren dhe sic e kanë vënë re folësit e tjerë, populli i Ukrainës e ndjejnë këtë nevojë si vecanërisht akute. Vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte shumë e mirëpritur dhe ju patët mundësinë ta shihni me sytë tuaj realitetin e njerëzve që banojnë pranë vijës së kontaktit”, tha Pierce duke iu adresuar Kryeministri Rama.

Në fjalën e saj, Pierce shprehu mbështetje të plotë edhe për luftën ndaj korrupsionit, të vendosur nga Shqipëria si një prej objektivave kyç të presidencës së saj.

Ndërkohë, ambasadori gjerman, duke mbështetur pa kushte axhendën Rama në OSBE, shënjestroi ambasadorin rus për deklaratat e tij. “Kam mbetur pa fjalë kur dëgjova përrallën e kolegut tonë rus. Kisha përshtyjen që nëse do të vazhdonim bisedën tonë për Ukrainën kolegët tanë rusë do të thonin se ishte Ukraina ajo që pushtoi Rusinë dhe jo e anasjellta”, u shpreh ambasadori Christoph Heugsen.

Disa nga pikat kyçe të vendosura nga Kryeministri Rama, si president i përkohshëm i OSBE-së është negocimi i zgjidhjes së konflikteve, demilitarizimi dhe kontrolli i armëve, si dhe promovimi i të drejtave dhe punësimit të grave, si në zonat e konfliktit, ashtu edhe brenda strukturës së OSBE.

Gjermania: Faleminderit zoti President, është një nder të kemi të pranishëm kryetarin e OSBE-së këtu, është shumë e rrallë për Këshillin që të takojë një personalitet që është njëkohësisht basketbollist, artist dhe Kryeministër dhe Kryetar i OSBE-së, pra mirë se vini në Këshillin e Sigurisë. Ndoqa me vëmendje ato që thatë për OSBE-në dhe ju e mbyllët duke theksuar sërish parimet e OSBE-së që janë po aq të vlefshme sot sa ishin kur u themelua. Gjermania si një nga anëtarët themelues ka qënë shumë mbështetës ndaj OSBE-së dhe beson se vazhdon të jetë një organizatë kyce. Mbështes edhe thënien e Gjermanisë se OSBE-ja dhe OKB-ja janë partnerë të natyrshëm prandaj Gjermania mbështet partneritetin midis dy organizatave që në fund të fundit kanë të njëjtat parime dhe janë të dyja organizata që, për të cituar sërish kryetarin e OSBE-së, mbojnë multilaterizmin që po kërcënohet. Gjermania angazhohet financiarisht dhe me burime njerëzore, ne drejtonim kryesinë e OSBE-së në 2016. Përsa i përket programit ka mbështetjen tonë të plotë, si dhe ajo që ju thatë mbi cështjet tematike, dicka që ne e mbështesim plotësisht, ju theksuat mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, dhunën ndaj grave, promovimin e mirëqeverisjes, luftën kundër anti-semitizmit, krimit të organizuar, kundër terrorizmit, trafikut të armëve. Do theksoja rolin e grave, nga njëra anë në pjesëmarrjen në qeveri, në bisedimet për paqen, nga ana tjetër mbrojtjen e grave në vecanti mbrojtjen nga dhuna seksuale. Do doja të përqëndrohesha në pjesën e parë të prezantimit tuaj, sa i përket ndryshimit që shkakton në terren, e vlerësojmë që u përqëndruat te fakti që ka ende trupa ruse në shkelje të Marrëveshjes së Stambollit, pra keni mbështetjen dhe vlerësimin tonë për përpjekjet tuaja. Ukraina ka qënë prej 6 vitesh vendi ku OSBE-ja ka investuar më shumë, dhe Gjermania e vlerëson shumë që vizita e parë ishte në Ukrainë dhe vizita në Stanicka Luhanska, në këtë zonë të aneksuar nga Rusia në Ukrainë, Krimea po ashtu, Rusia vazhdon të mbajë të pushtuar një pjesë të Ukrainës në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar. Gjermania vazhdon bashkë me Francën, përmes Formatit të Normandisë të përpiqet për përmirësimin e situatës. Samiti më 9 Dhjetor në Paris solli sërish progres, i bëjmë akoma thirrje të gjithë palëve të vazhdojnë të zbatojnë rezultatet e Samitit dhe do doja të përgëzoja Presidentin Zalenski për arritjet e deritanishme që nga momenti që ka marrë detyrën, si në lidhje me urën, por edhe për zbatimin e Formulës së Stajnmarit dhe veprime të tjera që ka bërë. I bëj thirrje Rusisë për të respektuar Marrëveshjen e Minskut.

Fjala e plotë e ambasadorit francez

Falenderoj përzemërsisht zotin Rama për fjalën e tij. Shqipëria ka mbështetjen e plotë e Francës për zbatimin e programit ambicioz të punës që ka prezantuar si Kryesi e OSBE-së. Janë tre tema që kanë vëmendjen tonë të veçantë. Vetëm 6 vjet pas fillimit të përplasjes, zgjidhja e konfliktit në Ukrainën lindore duhet të jetë prioriteti ynë kryesor. Ky konflikt është qartazi një nga shkeljet më serioze dhe vdekjeprurëse të parimeve të Helsinkit, që përbëjnë thelbin e OSBE-së. Vlerësoj rolin kyç që ka luajtur OSBE-ja që në fillim të krizës dhe do doja të uroja zotin Kryetar për vizitën e parë zyrtare si Kryetar i OSBE-së në Ukrainë. Misioni special i monitorimit i OSBE-së siguron çdo ditë vëzhgime të sakta të zhvillimeve të rendit nëpër rajon dhe në tërë zonën e konfliktit si dhe të mbështesë palët në zbatimin e Marrëveshjes së Minskut. Në këtë aspekt vlerësojmë punën e misionit special të monitorimit për të vëzhguar tërheqjen e trupave nga tre zonat kyçe: Zanicka Luhanska, Petrivska dhe Zolote. Gjithashtu vlerësojmë guximin e burrave dhe grave të përkushtuar në këtë fushë dhe dënojmë çdo veprim që kërcënon sigurinë e tyre apo pengon misionin. Mandati i misionit special duhet të zbatohet plotësisht në tërë territorin e Ukrainës, duke përfshirë zonën pranë kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë. OSBE-ja po ashtu luan rol kyç në mbështetjen e dialogut mes palëve në kuadër të Grupit Trepalësh të Kontaktit. Ky proces përparon njëkohësisht me diskutimet politike në zbatim të Formatit të Normandisë, që sot përforcohet falë Samitit të mbajtur në Paris më 9 Dhjetor. Franca dhe Gjermania punuan aktivisht për të organizuar këtë Samit të krerëve të shtetit, i pari që nga 2016. Tashmë presim zhvillimet e reja operacionale në kuadër të Grupit Trepalësh të Kontaktit për Samitin e ardhshëm të Normandisë që do të zhvillohet në pranverë. Për më tepër, nuk mund të flasim për krizën mes Ukrainës dhe Rusisë, pa përmendur aneksimin e paligjshëm të Krimeas nga Rusia. Kjo shkelje e kufijve ndërkombëtarisht të njohura të Ukrainës duhet të vazhdojë të dënohet me forcë. Ne dënojmë në këtë aspekt edhe rritjen e numrit të ushtarëve në gadishull dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj njerëzve që i përkasin minoriteteve, sidomos Tatarëve të Krimesë. Zona e dytë e veprimit: Franca vlerëson kontributin e OSBE-së për zgjidhjen e konflikteve që vazhdojnë të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Europë dhe rëndojnë shumë mbi jetën e përditshme të qytetarëve. Vizita e fundit në Moldavi e përfaqësuesit special të Kryesisë shqiptare për të zgjidhur konfliktin Transenistrial duhet përshëndetur. Franca shpreson që kjo të nxisë shtysë të përforcuar për negociatat. Përsa i përket çështjes së Nagorno-Karabahas, Franca vazhdon përpjekjet për ndërmjetësim në rolin e bashkëkryetarit të grupit të Minskut, së bashku me SHBA-në dhe Rusinë. Natyra konstruktive e takimit të fundit të dy ministrave të jashtëm e organizuar nga bashkëkryetarët në Gjenevë në fund të Janarit është shpresëdhënës në këtë aspekt pasi tregon vullnetin për dialog të vërtetë mes palëve. Përsa i përket Abhazisë dhe Osetias së Jugut, Franca rikujton nevojën që diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës të japin rezultate të prekshme dhe të ritheksojnë paprekshmërinë e territorit të Gjeorgjisë brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur. Për këto konflikte, duhet të theksohet që nevojitet vullneti politik i palëve për të mundësuar marrëveshje afatgjatë dhe për të forcuar sigurinë në Europë. Në mbyllje, Franca vlerëson vendimin e Shqipërisë për vendosjen në agjendë të barazisë gjinore dhe paqes e sigurisë si qëllimet kryesore të presidencës së saj. Dëshirojmë të ritheksojmë edhe mbështetjen e Francës për fokusin multidimensional mbi sigurinë brenda OSBE-së dhe angazhimin e marrë në kuadër të dimensionit njerëzor. Meqë jemi te dimensioni njerëzor, më lejoni të përshëndes punën unike të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut Harlem Desir si përfaqësues i OSBE-së për lirinë e shtypit. Zoti President, 45 vjet pas përfundimit të aktit të fundit të Helsinkit dhe 30 vjet pas nënshkrimit të Kartës së Parisit për Europën e Re, OSBE-ja është modeli i një multilateralizëmi efektiv dhe me themele të forta, që lindi duke u bazuar mbi vlerat e përbashkëta në një kohë kur antagonizmi politik ndërkombëtar ishte veçanërisht i dukshëm. Zbatimi dhe përforcimi i objektivave të OSBE-së është një nga prioritetet e përbashkëta mes nesh dhe Kryesisë së OSBE-së. Bashkëpunimi i ngushtë mes OKB-së dhe organizatave rajonale si OSBE-ja sipas Kartës mund të krijojë një multilateralizëm të ri, që përtërihet dhe i përshtatet sfidave kryesore të së tashmes.

Anglia: Mendoj se është shumë e rëndësishme që Këshilli i Sigurisë të dëgjojë fjalimin e OSBE-së dhe urime për detyrën e re si kryesi. Keni mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar. OSBE-ja është një shtyllë kryesore e sistemit ndërkombëtar rregullues si OKB-ja vetë, si dhe një institutcion jetësor për sigurinë Europiane dhe Euro-Atlantike dhe siç e theksuat ju, Kryeministër, është me rëndësi të ndahet përgjegjësia në mënyrë që OSBE të mund të ndryshojë gjendjen në terren dhe siç e thanë parafolësit e tjerë, populli i Ukrainës e ndjen këtë nevojë si veçanërisht akute. Vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte shumë e mirëpritur dhe ju patët mundësinë te shihni me sytë tuaj realitetin e njerëzve që banojnë pranë vijës së kontaktit. Ne besojmë se është e drejtë të vihet si prioritet përgjigjia e OSBE-së ndaj konfliktit në Ukrainën Lindore. Mbretëria e Bashkuar mbështet nismën për akses të plotë, të sigurtë e pa pengesa të misionit special të monitorimit dhe për burime të përshtatshme që i garantojnë të përfundojë detyren. Siç e thanë edhe parafolësit e tjerë, edhe ne jemi shumë të shqetësuar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Krime, që nga aneksimi i paligjshëm duke përfshirë arrestime, keqtrajtime, tortura dhe përfrikësime të kundërshtarëve politik dhe minoriteteve dhe mohimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të lirive të atyre që nuk e pranojnë vendosjen me forcë të legjislacionit dhe shtetit Rus në gadishull. Prandaj Mbretëria e Bashkuar i bën thirrje urgjente Rusisë për të liruar menjëherë 89 apo më shumë të burgosur politikë që mbahen aktualisht nën arrest në Rusi dhe në Krime. Vlerësojmë angazhimin e Presidentit Zelenski për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin në Ukrainën Lindore. Përgatitja kohët e fundit në Ukrainë e masave për rritjen e besimit nxiti Samitin e Dhjetorit të Formatit të Normandisë në Paris dhe në këmbimin e të burgosurve më pas. Presim nga Rusia të zbatojë Marrëveshjen e Minskut dhe angazhimet që ka marrë përsipër prej saj dhe të përdorë ndikimin që ka për të bindur separatistët të bëjnë të njëjtën gjë. I bëjmë thirrje Rusisë edhe të luajë rolin e tij për të mundësuar tërheqje të mëtejshme të ushtrisë dhe akses të plotë të komunitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq te zonat që nuk i kontrollon qeveria. Zoti President, Rusia duhet të respektojë plotësisht pavarësinë e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial, të tërheqë trupat nga e gjithë Ukraina dhe t’i japë fund aneksimit të paligjshëm të Krimesë. Krimeja është pjesë e Ukrainës. Veprimet që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Rusia aty përbëjnë shkelje të detyrimeve të saj sipas ligjeve ndërkombëtare dhe krijojnë një sfidë serioze për rregullat ndërkombëtare të rendit. Kryeministër, përshëndesim caktimin si prioritet nga ana juaj si Kryesi të zgjidhjes së konfliktit, përfshirë punën e misionit special të monitorimit dhe të Grupit Tripalësh të Kontaktit, si dhe zgjidhjen e konfliketeve të tjera në OSBE. Si të tjerët, ne i japim rëndësi të madhe punës se përfaqësuesve të OSBE-së në tërë rajonin. Mbretëria e Bashkuar ka nderin të mbështesë presidencën tuaj si drejtues i Komitetit të Sigurisë në OSBE. Ju jemi mirënjohës për vendosmërinë tuaj për të luftuar krimin e organizuar dhe për të theksuar rëndësinë e marrjes së veprimit në zbatim të standarteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Bashkëpunimi i OSBE-së me OKB-n në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, është veçanërisht i fortë dhe mirëpresim partneritetin e OSBE-së me institucionet e Këshillit të Sigurisë që kanë fokusin në luftën kundër terrorizmit dhe mezi presim Konferencën e përbashkët të OSBE-së, me Zyrën Kundër-Terrorizmit të OKB-së në Zvicër për luftëtarë të huaj terroristë. Zoti President, vlera unike e OSBE-së qëndron te qasja konsensuale ndaj parimeve dhe angazhimeve që sjellin përfitime për të dyja palët dhe parandalojnë përshkallëzimin. Në veçanti, Mbretëria e Bashkuar do të donte të shihte ruajtjen dhe rritjen e arritjeve nga mekanizmat e ndërtimit të besimit dhe sigurisë në 2020, përfshirë Traktatin Qiej të Hapur dhe Dokumentin e Vienës. Kryeministër, përshëndesim përqëndrimin tuaj, në përvjetorin e 20-të të Rezolutës 1325 te promovimi i rolit të grave në fushën e paqes dhe sigurisë. Parandalimi i dhunës seksuale në konflitet e dhunshme vazhdon të mbetet një prioritet kryesor për qeverinë time. Jemi shumë krenar zoti Kryeministër t’ju japim mbështetjen tonë të plotë për kryesimin e OSBE-së.