Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë përshëndetëse sot në aktivitetin e organizuar për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Shefi i maxhorancës e nisi duke treguar një bisedë me ish-shefen e diplomacisë europiane se si për vendin e ambasadorit të BE në Tiranë aplikuan 40 kandidatë dhe theksoi se është një qytet ku gjithmonë duan të kthehen.
“Nuk e mbaj mend saktësisht vitin por mbaj mend që ishte i hapur vendi i punës për ambasadorin e BE-së dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane që më tha ‘çfarë ndodh me Shqipërinë’? S’e kuptova pyetjen, tha ‘kemi disa vende për ambasadorë dhe kemi hapur aplikimet. Për vendet e BE-së ka një mesatare të zakonshme 9-10 aplikime, për vendin në Tiranë janë 41 aplikantë. Çfarë është ai vend, pse duan të vijnë në Tiranë’? ‘Përveç kësaj’ tha, ‘ka ambasadorë aktualë që janë ambasadorë ose që janë në pozicione të mëdha në ambasada nëpër botë që kanë qenë në Tiranë dhe duan të kthehen në Tiranë’. I thashë kush janë, më tha ‘nuk mund ta them dot’. Mora vesh që njëri ishte sekretar i parë në një nga ambasadat më të mëdha të botës. I çova e-mail dhe e pyeta a është e vërtetë që ke aplikuar të kthehesh në Tiranë? Dhe më shkroi, ‘po e vërtetë është, po ke qenë në Tiranë s’ka kontinent që ta mbush syrin’.
E marr me mend se çfarë mund të jenë në këtë moment duke menduar dhe cilat faqe të librit të shtëpisë janë duke më sharë ata që ndoshta po më ndjekin dhe që thonë çdo ditë e çdo natë këtu është ferr e këtu nuk jetohet. Por e vërteta është që ky është një qytet që unë në vetë të parë e kam provuar që në sytë e atyre që vijnë është një vend ku duan gjithmonë të kthehen. Edhe gjithë Shqipëria po ashtu por po flasim sot për Tiranës. Mbase këta që vijnë nga BE-ja janë të lodhur me shumë rregull e me shumë disiplinë, me shumë standarde e shumë monotoni. Mbase ata që vijnë nga Amerika janë të lumtur sepse këtu ndihen njësoj si Papa kur shkon në Argjentinë. Mbase të tjerët që vijnë mendojnë që vijnë në mes të Europës pa pritur të gjejnë gjëra që Europa nuk i ka dhe iu kujtojnë vendet e tyre. Është një qytet që 100 vjet më parë ishte shumë i vogël dhe në shekullin e 19 kishte vetëm 10 mijë banorë.
U ndërtua në një mënyrë si pak qytete të tjera nga shumë duar që ia lanë stafetën njëra-tjetrës me hir ose me pahir dhe që vunë tullat e tyre duke sjellë kultura të ndryshme, vizione e perceptime dhe mënyra të ndryshme të jetuarit të realitetit”, deklaroi Rama, raporton “BalkanWeb”.
Ai tha më tej se Tirana prodhon me shumicë dhe energji autoshkatërruese duke sjellë një tjetër episod për ta ilustruar këtë nga e kaluara, kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës.
“Duke e pas prekur me dorë dhe duke pasur dhe unë dorën time tek këto duart stafetë pas stafete them se më shumë pas çdo filozofie mund të vlejë për të përcaktuar një epokë një episod që e kam pasur me një ndërtues tek Lana. Lana po prishej dhe unë ndiqja shkatërrimet, kur shoh që para kësaj ndërtese po shkarkoheshin vetrata për t’u montuar. Mendova se ishte dikush që po na sfidonte. Zbrita dhe pyeta kush është pronari, më thanë është lart po monton vetratat. Iu thashë i thojini të zbresë pak poshtë. Zbriti dhe i thashë çfarë po bën? Më tha çfarë po ndodh rreth e rrotull është fiksimi jot, çfarë po bëj unë është fiksimi im. Kam që ‘91 dhe e kam fiksim ta shoh të mbaruar”, tregoi më tej kryeministri.
Ai risolli fjalët e Kadaresë së madh për të përkufizuar kryeqytetin shqiptar. “Dua t’i referohem dy vargjeve të Ismail Kadaresë që thotë ‘Tirana gdhin aq pabesisht e hijshme sa s’di për çfarë ta marrësh për delir apo për qytet’. Kjo frazë i ka brenda të gjitha dhe të shëmtuarën dhe të bukurën. Dhe ndërtimet pa leje dhe kullat. Dhe sheshin ‘Skënderbej’ dhe pazarin megjithëse nuk ka më Pazar lopësh se i ka mbledhur lali të gjitha. Është momenti për të thënë që vërtetë nuk është aq fat i keq të kesh lindur në Tiranë, të vish në Tiranë. Është Amerika jonë e vogël në kohën kur Amerika na ngjante më shumë ne se Amerikës sot.
Duke parë si iu shkëlqejnë sytë ambasadorëve këtu mendoj se nuk jemi keq”, u shpreh Rama.
Tiranë, Pallati i Brigadave – "Tirana 100 vjet Kryeqytet" #Tirana100
Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 11. Februar 2020