Sistemi bankar në Shqipëri vijon të konsolidojë pozitat financiare duke garantuar kështu mbështetje në rritjen e ekonomisë së vendit, investimeve dhe konsumit. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, bëjnë të ditur se, fitimet e sistemit bankar u rritën me 20 miliardë lekë gjatë vitit 2019. Në krahasim me një vit më parë, fitimi i sistemit rezulton të jetë rreth 8% më i lartë, duke shënuar kështu rezultatin e dytë më të mirë të dekadës së fundit, pas vitit 2017, kur ky tregues arriti në 22.1 miliardë lekë.
Sipas të dhënave, të ardhurat nga interesi bëjnë burimin kryesor të të ardhurave të bankës, të ardhurat nga gjobat e komisionet ishin rreth 11 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë dhe 1.5 miliardë lekë nga instrumentet financiarë. Në kahun e shpenzimeve, provigjonet për kreditë e humbura ishin rreth 162 milionë lekë, nga 2.3 miliardë lekë që shënuan vitin e mëparshëm.