Ronaldo Nazario rrëfeu se ishte Roberto Carlos, ai që e bindi atë të luante te Real Madridi. Kjo ishte një ide e shkëlqyer për të që në fillim, megjithëse iu deshën vite për t’i ndjekur këshillat e tij: “Unë luaja me Roberto Carlos te kombëtarja e Brazilit dhe më tregonte për gjithçka, që përfaqësonte Real Madridi. Më mburrej me përvojën e tij atje. Gjithçka ishte ngulitur në mendjen time dhe pas disa vitesh desha ta shoh me sytë e mi”.
“Fenomeni”, gjithashtu, pranon se i tejkaloi pritshmëritë e tij me të bardhët: “Unë e provova vetë eksperiencën në Madrid. Atje ishte edhe më mirë se ç’më kishte thënë Roberto Carlos, një klub më i madh nga sa mund ta imagjinoja. Ishte Real Madridi. Natyrisht, kishte pritshmëri dhe presion të madh. Sigurisht, atje ishin edhe lojtarët më të mirë në botë. Unë isha i kënaqur që zbulova një klub të madh dhe ndihmova për ta bërë edhe më të madh”.
Në fund, braziliani nuk mund të thoshte se në cilën skuadër u pa Ronaldo më i mirë, megjithëse pranon se ishte i lumtur në të gjitha “stacionet” e karrierës, deri në pensionimin e tij: “Sidoqoftë, nuk mund t’ju tregoj se cili version imi ishte më i miri. Mendoj se është një pyetje më shumë për tifozët sesa për mua. Personalisht u përpoqa të bëja më të mirën gjatë karrierës sime”.