Lulet janë simboli i ditës së të dashuruarve, Shën Valentinit. Vitet e fundit shqiptarët, kryesisht burrat, gjithnjë e më shumë po përzgjedhin buqetat me lule si dhuratë. Tashmë në Shqipëri importohen gati tre herë më shumë lule në krahasim me vitin 2013. Të dhënat nga Dogana treguan se gjatë 2019-s janë importuar lule me vlerë gati 1 miliard lekë, duke shënuar rritje me 4% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë rekordi i luleve të importuara u shënua në vitin 2017, me një vlerë prej 1.07 miliardë lekë.
Tregu i pushtuar nga lulet holandeze Holanda është tregu kryesor që furnizon me lule tregun shqiptar të luleve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019 janë importuar nga Holanda mbi 331 milionë lekë lule dhe bimë, duke u përgjigjur kështu për një të tretën e importeve në vend. Në vend të dytë për nga sasia e importuar renditet Italia, me një diferencë të ngushtë me Holandën. Sipas të dhënave të INSTAT nga vendi ynë fqinj janë importuar 314 milionë lekë lule, apo 31% e totalit të importeve. Vendi i treti i origjinës për nga sasia e importuar është Greqia, me 105 milionë lekë.
Kërcejnë importet e luleve nga Amerika Latine Viti 2019 ka shënuar një rritje të lartë të luleve të importuara nga Kolumbia. Në vitin që lamë pas, tregtarët shqiptarë sollën nga vendi i largët latin lule me vlerë 38 milionë lekë, trefishuar në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2018 importet e luleve dhe bimëve nga Kolumbia kishin një vlerë prej 13 milionë lekësh. Edhe Ekuadori, tjetër vend i Amerikës Latine, ishte një ndër vendet kryesore të origjinës së luleve dhe bimëve të importuara me vlerë prej 25 milionë lekë, importet prej të cilit janë rritur ndjeshëm prej viti 2016, në të cilin janë importuar vetëm 8 milionë lekë lule dhe bimë.