Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar nga koronavirusi i ri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi sot një informacion mbi vlerësimin e riskut dhe masat e marra në vendin tone. Sipas MSHMS-së, bazuar në informacionin e deritanishëm si dhe në mungesën e linjave ajrore direkte me Kinën, udhëtimin e shtetasve tanë atje dhe anasjelltas, rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.

“Pas shpalljes se situatës emergjencë globale edhe në vendin tonë janë forcuar masat për monitorimin dhe parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. Eshtë rritur shkëmbimi i informacionit (dhe behet në kohë reale) mes strukturave të Ministrise së Shëndetësisë, si ISHP, ISHSH, QSUT dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”. Mes ketyre strukturave ka një koordinim të masave bazuar mbi rekomandimet e OBSH”, njoftoi ministria. Po ashtu bëhet e ditur se në zbatim të urdhrit të Ministres, në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe portuale është përforcuar survejanca dhe janë ndërmarrë masa të shtuara higjieno-sanitare.

Në të njëjtën kohë, ministria e Shëndetësisë ka rritur këshillimin për qytetarët tanë, që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme. Instituti i Shëndetit Publik po vijon trajnimet me strukturat shëndetësore në vend mbi parapërgatitjen për masat e kontrollit të infeksionit 2019 – nCoV ( koronavirusi i ri).

“Aktualisht Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Çdo rast i dyshuar, i mundshëm ose i konfirmuar me CoV e ri, do raportohet menjëherë pranë NJVKSH përkatese dhe me pas prej NJVKSH ose direkt pranë ISHP me formularin rutinë të njoftimit. Kjo procedurë duhet të kryhet mënjeherë dhe brenda 24 orëve dhe menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Urgjenca Mjekësore Kombëtare”, njoftoi MSHMS. Çdo rast, bën të ditur ministria, do të hetohet sipas udhëzimit përkatës dhe plotësimi i skedës përkatëse e hetimit dhe me qëllimin e ndjekjes së kontakteve të rastit të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat të tilla si: kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127. Në nivel global, janë raportuar në total 20 626 raste të konfirmuara me coronavirus. Në Kinë janë 20 458 raste të konfimuara dhe 426 vdekje. Jashtë Kinës janë 168 raste të konfirmuara dhe 1 vdekje në Filipine. Gjithsej janë 26 shtete të përfshira

Rekomandime dhe këshilla nga OBSH. Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERS) dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë (SARS), transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve/objekteve të kontaminuara).

Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të 2019-nCoV mund të jetë e ngjashme.
Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masa të tilla si shmangien e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes. Larjen e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre. Shmangien e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake ashtu edhe të egra).

Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjenën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami/letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larje e duarve). Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.