Shqiptarët shpenzuan rreth 92 milionë euro për të siguruar makinat vitin e kaluar. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dëshmojnë se sigurimet motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta dominuan edhe më shumë tregun për vitin 2019.
Në total, raporton Scan-tv ato sollën 68.7% të primeve në sigurimin e jo-jetës, në rritje me rreth gjysmë pikë përqindje krahasuar me vitin 2018. Në vitin e parë që nisi i aplikimit të sistemit bonus-malus, sigurimi i brendshëm TPL u rrit me rreth 5%, duke ngelur dukshëm kolona kryesore e tregut shqiptar të sigurimeve.Duke filluar nga ky vit, drejtuesit e mjeteve do të paguajnë tarifa më të larta nëse kanë shkaktuar dëme, ndërsa primi do të ulet nëse në 12 muajt e fundit nuk kanë një historik dëmesh.
Vitin e kaluar, edhe primet nga kartoni jeshil u rritën afërsisht me 5%, ndërsa primet nga policat e sigurimit kufitar pësuan një rënie të lehtë. Viti i kaluar nuk solli zhvillime inkurajuese në produktet e sigurimit vullnetar. Klasa kryesore, ajo e sigurimit të pronës ndaj fatkeqësive natyrore pësoi rënie të primeve me rreth 17%.
Edhe sigurimi i shëndetit ndaj sëmundjeve mbylli një vit në rënie, me 6% më pak prime të arkëtuara. Në total, tregu i sigurimeve vitin e kaluar u rrit me rreth 4% dhe arriti një volum primesh prej rreth 144 milionë eurosh.Me rreth 50 euro prime sigurimi për frymë, Shqipëria ngelet një ndër ekonomitë europiane ku qytetarët shpenzojnë më pak për t’u siguruar.Në vende si Zvicra, Danimarka apo Luksemburgu, primet e sigurimit për frymë kalojnë vlerën e 5 mijë eurove në vit.