Instituti i Shëndetit Publik njofton se në javën e fundit është ulur numri i të prekurve me gripin sezonal. Sipas ISHP-së, vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve respiratore. Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP-ja u bëjnë apel qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët duke ndjekur këshillat. Ndërkohë që strukturat e shëndetësisë dhe jo vetëm kanë marrë masat për virusin kinez.
Njoftimi i plotë nga ISHP-ja: Në javën 07 të 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme. Bazuar në të dhënat e Buletinit të Gripit të Institutit të Shëndetit Publik, infeksionet respiratore kanë aktivitet sezonal normal. Gjithashtu referuar të dhënave nga Buletini, deri tani, 322 mostra janë konfirmuar me viruse të gripit. Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me Gripin (ILI) në rrethin e Tiranës, dhe survejancës së infeksioneve respiratore akute të rënda (SRRA) në spitalet kryesore në të gjithë vendin si dhe raportimit rutinë, vërejmë se prirja e infeksioneve respiratore paraqet rënie në javën 07/2020, me aktivitet sezonal normal me intensitet të lartë.
Vazhdon qarkullimi i viruseve të tipit A dhe B të gripit. Që nga fillimi i sezonit deri tani, në total mbizotëron virusi i tipit A, nëntipi A/H3. Virusi i tipit A ka mbizotëruar çdo javë deri në javën 05 ndërsa në javët 06 dhe 07 vërehet mbizotërim i virusit të tipit B. Në javën e 07 të vitit 2020 vërehet një prirje në rënie e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtme dhe ky numër është 19% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prej javës 43 (21-27 Tetor 2019) deri në javën 07 (10 – 16 Shkurt 2020) jane grumbulluar 899 mostra nazofaringeale nga qendrat e survejancës ILI dhe SRRA apo STRRA. Nga testimi i tyre në 322 (35.8%) mostra janë identifikuar viruset e gripit, nga të cilat: 180 (20%) virusi i tipit A dhe 142 (15.8%) virusi i tipit B. Nga 180 viruset e tipit A 70 (38.9%) janë të nëntipit A/H1pdm09 dhe 97 (53.9%) të nëntipit A/H3 ndersa 13 (7.2%) janë në procesin e nëntipizimit.
MSHMS dhe ISHP u bëjnë apel qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët duke ndjekur këshillat si më poshtë: Lani duart rregullisht, pastroni hundët me shami njëpërdorimshme, mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini, evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz, ruani një temperaturë të qendrueshme brenda banesave tuaja, ajrosini vazhdimisht ambientet ku rrini.
Kur jeni të sëmurë: Qëndroni në shtëpi, kufizoni daljen në ambiente të ftohta, konsumoni ushqime të ngrohta, pini sa më shumë lëngje, kufizoni kontaktet direkte dhe indirekte (nëpërmjet objekteve), mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun.