Në daljen e saj para mediave, Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino ka siguruar qytetarët se janë marrë të gjitha masat nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të përballuar situatën. E pyetur në lidhje me vendin e karantinës, Bino ka bërë të qartë se “karantina është për njerëzit që janë të shëndetshëm dhe jo njerëz të sëmurë. Nuk është se duam ta tregojmë por nuk duam të shkaktojmë shqetësime dhe nuk është e rëndësishme që ta dini se ku është”.
Më tej, ekspertja ndër më të njohura e shëndetit publik ka patur një thirrje për të gjithë: “Kini pak besim tek strukturat! Kini pak besim tek ne! Kini pak besim edhe tek mua që po flas sot, sepse po e ndiejmë veten shpesh herë shumë keq, të dyshuar me pa të drejtë, në çdo gjë që bëjmë. Jam shumë e sinqertë në të gjitha ato që them dhe nuk mund të flas për gjëra të cilat nuk i bëjmë. Nuk e bëj kurrë! Të gjitha masat që kemi thënë i kemi marrë”.